Gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Florjan Kalaja, ka promovuar librin “Bashkëpunëtori i drejtësisë”, ku merr në shqyrtim rastet kur bashkëpunëtori i drejtësisë ka bërë dëshmi të rreme, marrëveshjet e prokurorisë me të pandehurin, sovranitetin e gjykatës, bashkëpunëtorët që e marrin statusin jashtë, si e vuajnë dënimin, si bëhet ulja e dënimit por parë këto edhe në prizmin e paradokseve.
“Nga legjislacioni që kam studiuar jemi shteti unik që lirimin me kusht e rregullojmë njëlloj për bashkëpunëtorin e drejtësisë dhe të pandehurit e tjerë, por edhe dënimet alternative. Paradoksi që shoh me keqardhje është që ka ligje të ndryshme që rregullojnë bashkëpunëtorin e drejtësisë por secili nga këto ligje, ka kritere të ndryshme për ti dhënë regjimin juridik bashkëpunëtorit të drejtësisë”, tha Kalaja.
Në fjalën e mbajtur para miqve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të drejtësisë, që e vlerësuan punën e tij, gjyqtari, tha se kodi penal dhe ligjet kanë kritere të ndryshme për bashkëpunëtorin ndërsa jurisprudenca është episodike, jo sistematike dhe e pathelluar, për ç’arsye. Për kodin e ri penal ai sugjeron:
“Kodi i ri penal duhet të shënjojë një pikë kthese të fortë, për të ndryshuar atë ka shkuar keq deri më sot. Bashkëpunëtori i drejtësisë nuk është personi që bashkëpunon për hir të privilegjit penal por personi që arrin të prishë zinxhirin e lidhjes së tij kriminale në mënyrë përfundimtare”.
Ky libër vjen pas atij për “Dilemat Kushtetuese” apo “Lirimit me kusht”, duke marrë në shqyrtim, çështje të jurisprudencës. /BalkanWeb



