Parisi tronditet nga një prej grabitjeve më guximtare të dekadës: Muzeu i Luvrit u detyrua të mbyllet pasi një bandë hajdutësh vodhi thesaret e paçmuara të kurorës franceze gjatë ditës, raporton BBC.
Si ndodhi grabitja?
Ngjarja ndodhi dje, mes orës 09:30 dhe 09:40, vetëm pak minuta pasi muzeu hapi dyert për vizitorët.
Katër persona të maskuar, duke përdorur një vinç mekanik të montuar në automjet, u ngjitën deri në “Galerinë e Apollonit”, me hyrje nga një ballkon pranë lumit Senë.
Dy prej tyre prenë xhamat me një sharrë elektrike portative, hynë brenda, kërcënuan rojat e sigurisë dhe thyen dy vitrinas ku ishin ekspozuar bizhuteritë. Stafi u detyrua të evakuonte vizitorët ndërsa u aktivizuan menjëherë alarmet.
Grabitësit u parë duke vepruar me qetësi, me maska dhe me lëvizje të sinkronizuara, tha ministrja e Kulturës, Rachida Dati, duke nënvizuar se bëhej fjalë për një sulm “shumë profesional” dhe “pa dhunë fizike”.
Sipas saj, plani për arratisje ishte i përgatitur deri në detaj: hajdutët u larguan me dy motoçikleta, të cilat i prisnin në pjesën e pasme të ndërtesës.
I gjithë operacioni zgjati më pak se shtatë minuta, deklaroi ministri i Brendshëm Laurent Nuñez. Ndërkohë, policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar katër autorët.
Një dëshmitar tha se nisi “panik total” ndërsa muzeu po evakuohej dhe hyrjet u mbyllën me barriera metalike.
Çfarë u vodh?
Sipas autoriteteve, u rrëmbyen tetë objekte të shekullit XIX, të gjitha pjesë e trashëgimisë mbretërore dhe perandorake franceze, përfshirë tiara, gjerdanë, vathë dhe brosha me mijëra diamante e gurë të çmuar.
Ministria e Kulturës konfirmoi listën e gjërave të vjedhura:
Një tiarë dhe një broshë, që i përkisnin Perandoreshës Eugénie, bashkëshortja e Napoleonit III
Një gjerdan smeraldi dhe një palë vathë të Perandoreshës Marie Louise
Një tiarë, një gjerdan dhe një vath nga seti me safirë i Mbretëreshës Marie-Améli dhe Mbretëreshës Hortense.
Brosha “Relikare”, një pjesë ikonike muzeale
Dy objekte të tjera, përfshirë kurorën e Perandoreshës Eugénie, u gjetën të hedhura pranë skenës së krimit, të dyshuara se u rrëzuan gjatë arratisjes. Ato po ekzaminohen për dëmtime. Sipas autoriteteve, bizhuteritë e zhdukura janë “të paçmuara dhe me vlerë të pallogaritshme historike”.
A ka precedentë?
Grabitjet e artit nuk janë të panjohura për Luvrin. Rasti më i famshëm në histori mbetet vjedhja e “Mona Lizës” në vitin 1911, e cila u mor lehtësisht nga një punonjës dhe u gjet vetëm dy vjet më vonë.
Në 1998, piktura “Le Chemin de Sèvres” u vodh dhe nuk është gjetur kurrë. Kohët e fundit, Franca po përjeton një valë grabitjesh në muzeume:
Muajin e kaluar u vodhën porcelanë të ndryshëm me vlerë 9.5 milionë euro në Limoges.
Në 2024 u zhdukën shtatë objekte me vlerë të madhe nga muzeu Cognacq-Jay në Paris.
Po atë vit, një tjetër bandë grabiti muzeun Hieron, duke qëlluar me armë përpara arratisjes.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa Luvri premton rihapjen sa më shpejt, por ngjarja ka hapur debat të ri mbi sigurinë e muzeve franceze dhe tregtinë e zezë të artefakteve.