Gripi ose COVID-19 rrisin rrezikun e atakut në zemër ose goditjes në tru.
Ky është përfundimi që ka nxjerrë një analize e re që hartëzon se si viruset mund të ndikojnë në shëndetin e zemrës.
Studiuesit e kanë ditur prej kohësh që viruse të tilla si papillomavirusi njerëzor (HPV) dhe hepatiti B mund të shkaktojnë kancer, por lidhjet me probleme të tjera shëndetësore, të tilla si sëmundjet e zemrës, janë më shumë një mister.
Analiza e fundit mblodhi të dhëna nga 155 studime. Ajo tregon se ka rreziqe për shëndetin e zemrës të lidhura me infeksione me shtrirje të gjerë si gripi, koronavirusi, HIV-i, hepatiti C dhe virusi varicella zoster, i cili shkakton herpesin zoster dhe varicellën e dhenve.
“Studimi ynë zbuloi se infeksionet virale akute dhe kronike janë të lidhura me rreziqet afatshkurtra dhe afatgjata të sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë goditjet në tru dhe atakun në zemër”, tha Kosuke Kawai, autori kryesor i studimit dhe epidemiolog në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles.
Sipas studimit, i cili u botua në Journal of the American Heart Association, në muajin pas diagnozës së gripit, njerëzit kanë katër herë më shumë gjasa të pësojnë atak në zemër dhe pesë herë më shumë gjasa të pësojnë goditje në tru.
Ata kanë tri herë më shumë gjasa të pësojnë atak në zemër ose goditje në tru brenda 3.5 muajve pas infektimit me COVID-19, me rreziqe që mbeten më të larta për një vit pas infektimit, zbuloi studimi.
Rreziku i atakut në zemër ishte 60 për qind më i lartë për njerëzit me HIV, 27 për qind më i lartë për ata me hepatit C dhe 12 për qind më i lartë për ata me herpes zoster të paktën pesë vjet më vonë.
Kawai tha se gjetjet janë “klinikisht të rëndësishme” duke pasur parasysh numrin e njerëzve të prekur nga këto infeksione kronike virale.
Globalisht, në vitin 2024 pati rreth 1.3 milionë infeksione të reja me HIV dhe rreth një milion infeksione të reja të hepatitit C raportohen çdo vit.



