Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka përshkruar javën që lamë pas si një nga periudhat më të rënda emocionalisht për familjarët e krerëve të UÇK-së dhe qytetarët e Kosovës. Kërkesa e Prokurorisë për dënime maksimale me nga 45 vite burg shkaktoi një “valë stresi”, por sipas Gucatit, situata ka ndryshuar sapo mbrojtja mori fjalën.
Gucati theksoi se shumë qytetarë dhe prindër të moshuar nuk e kuptojnë procedurën dhe e kanë përjetuar rëndë kërkesën e prokurorit, duke e marrë si akt të kryer.
Besimi është rikthyer te ekipi i mbrojtjes, të cilët sipas tij po i demantojnë një nga një pretendimet e Prokurorisë. “Krime lufte ka pasur, por ato i ka kryer Serbia,” u shpreh ai.
Gucati nuk e ka kursyer kritikën ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhikut për mosmarrjen pjesë në votimin e Rezolutës për Dhomat e Specializuara.
Sipas tij, në Hagë nuk po mbrohet vetëm Hashim Thaçi me shokë, por po mbrohet vetë liria dhe themelet e shtetit të Kosovës.



