Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Enver Haliti, ka komentuar deklaratat e ish-presidentes Vjosa Osmani në intervistën e saj të fundit duke thënë se ato kanë ndryshuar me kalimin e kohës dhe pozitës së saj institucionale.
Në Debat Plus, Haliti tha se asnjë parti politike nuk e preferon opsionin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe se aktualisht nuk ekziston vullnet i deklaruar.
I pyetur për deklaratën e Osmanit, ku ajo kishte thënë se “sa më shumë i afrohesha numrit të nevojshëm të votave, aq më shumë ma rrisnin pragun”.
Haliti u shpreh se një pretendim i tillë nuk qëndron, duke theksuar se për zgjedhjen e presidentit nevojiten 80 vota në dy raundet e para, ndërsa nuk është arritur një numër i tillë.
“Nuk besoj që ka rritur pragun, sepse e dimë sa vota duhen për zgjedhjen e presidentit”, ka thënë ai.
Sipas Halitit, deklaratat e mëhershme të Osmanit, kur ajo ishte në pozitë, kanë qenë të ndryshme krahasuar me ato aktuale, duke lënë të nënkuptohet se qëndrimet e saj kanë ndryshuar pas përfundimit të mandatit.
“Kështu që nuk mund të themi që atë që ka thënë Osmani, unë shohë që deklaratat e mëhershme derisa ka qenë në pozitë kanë qenë pak më ndryshe, tash që ka përfunduar mandatin mu dukej se disa deklarata i pat ndryshe. [Osmani po ndryshon?] Po me deklaratat e saj”, ka deklaruar ai.



