Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar atë dhe vartësit e tij se po e shkatërrojnë Kosovën përmes vendimeve arbitrare në sektorin e energjisë.
Në një postim në rrjete sociale, Haradinaj e quajti Kurtin “zaptues të Zyrës së Kryeministrit”, i cili sipas tij i ka lënë bizneset e vendit në mëshirë të “mafias energjetike”.
“Ky veprim shkatërrues nuk do të kalojë pa përgjegjësi. Rrethi po ju ngushtohet çdo ditë dhe ky fund nuk do të jetë i mirë për ta. Pashmangshëm do të përballen me ligjin”, shkroi Haradinaj.
Postimi i plotë:
Zaptuesi i Zyrës së Kryeministrit së bashku me vartësit e tij, i la bizneset e Kosovës në mëshirë të mafias energjetike, në mënyre arbitrare dhe me qëllim të qartë tashmë, çmontimin e Kosovës duke ua trashur xhepat të dëgjueshmëve të tij.
Ky veprim shkatërrues nuk do të kalojë pa përgjegjësi. Rrethi po ju ngushtohet çdo ditë, dhe ky fund nuk do të jetë i mirë për ta, pashmangshëm do të përballen me ligjin.
Kosova ka me u liru nga këta gangsterë me agjenda të dyshimta.



