Kandidati për kryeministër i koalicionit AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, Ramush Haradinaj, ka thënë se Deçanin do ta bëjnë adresë ballkanike të turizmit dimëror.
“Deçanin do ta bëjmë adresë ballkanike të turizmit dimëror – me Kosovën Fituese 137. Deçani, xhevahiri i turizmit malor, është ndër qytetet e rralla që rrethohet me bjeshkë që i kanë terrenet më të përshtatshme për sportet dimërore. Do të investojmë dhe do ta shndërrojmë këtë zonë në adresë ballkanike të turizmit.”

Ai ka shtuar se turizmi dhe bujqësia mund të bëhen shtylla të zhvillimit ekonomik të komunës.
“Turizmi dhe bujqësia mund të bëhen shtylla të zhvillimit ekonomik të Komunës, e për realizimin e të cilave do ta ketë edhe dorën e Shtetit. Studentët do të kenë bursa, rinia mbështetje financiare pa kthim nga Shteti për të fillur biznese të vogla, bujqit trefishim të subvencioneve, bizneset partneritet e lehtësira për rritje të biznesit. Rrymën do ta prodhojmë vet dhe nuk do të lejojmë të na e caktojë çmimin mafia energjetike”.

Haradinaj premtoi edhe ulje të çmimit të energjisë.
“Energjia nuk do të jetë malli më i shtrenjtë. Do ta ulim çmimin për 20 përqind. Por për tu zhvilluar, së pari duhet të kemi siguri, e kjo arrihet vetëm duke qenë krejt Kosova në NATO. 137 për Kosovën Fituese, o sot o kurrë!”.



