Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Strategjisë (ISF), në panelin “From Conflict to Democracy”, me ftesë të Special Competitive Studies Project (SCSP).
Ai ka ndarë historinë e Kosovës, duke përshkruar rrugëtimin nga përpjekjet për liri deri te shtetndërtimi dhe ka theksuar rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Haradinaj ka prezantuar vizionin për një të ardhme të qëndrueshme dhe ka vlerësuar rolin e vlerave perëndimore që kanë udhëhequr këtë proces.
“Në vitet ’90 nisi rezistenca paqësore, në vitet 1997–1999 u zhvillua Lufta Çlirimtare dhe më 24 mars 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA, që çuan në liri dhe pavarësi,” ka thënë mes tjerash Haradinaj.
Postimi i plotë:
Me ftesë të Special Competitive Studies Project (SCSP), mora pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Strategjisë (ISF), në panelin “From Conflict to Democracy”, ku pata rastin të ndaj historinë e Kosovës, nga përpjekjet për liri deri në shtetndërtim. Para shumë profesionistëve të rinj nga mbi 40 shtete, paraqita vizionin tonë për një të ardhme të qëndrueshme.
Fola për rëndësinë e diplomacisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Theksova rrugën e Kosovës drejt lirisë e shtetndërtimit dhe vlerat perëndimore që udhëhoqën këtë proces, si bazë për integrimin tonë euro-atlantik.
Liria erdhi si rezultat i një procesi të gjatë. Në vitet ’90 nisi rezistenca paqësore, në vitet 1997–1999 u zhvillua Lufta Çlirimtare dhe më 24 mars 1999 filluan sulmet ajrore të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA, që çuan në liri dhe pavarësi. Ky rrugëtim nuk ishte i lehtë, por erdhi falë mbështetjes dhe partneritetit që ndërtuam me botën demokratike, të udhëhequra nga Amerika.
Kosova pret me padurim të ecë më shpejt drejt integrimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Rrugëtimi ynë tregon se liria fitohet me sakrificë, ndërsa shteti ndërtohet e forcohet në bashkëpunim me aleatët.