Daut Haradinaj me ironi: “Pajtohem me Albin Kurtin në një pikë” – Kritikon ashpër matjet në Deçan
Në një paraqitje në emisionin Pressing, kandidati për kryetar të Deçanit nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, komentoi me tone ironike çështjen e exit-polleve dhe sondazheve të realizuara gjatë fushatës zgjedhore, duke thënë se në këtë pikë “pajtohet me Albin Kurtin”.
“Tre herë në ditë me i bë matjet në Deçan, e askush prej pronarëve apo atyre që i kanë realizuar ato sondazhe nuk arrin me e mbulu atë kosto – dikush po i sponsorizon ato. Këto matje i kanë ofendu qytetarët e Deçanit”, tha Haradinaj.
Ai shtoi me ironi se:
“Në këtë pikë pajtohem me Albin Kurtin – gjatë krejt kohës sa është në pushtet!”
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur edhe vetë kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për hetim të exit-polleve, ndërsa kandidati i tij për Mitrovicën, Faton Peci, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj disa prej organizatorëve dhe gazetarëve që kanë qenë të përfshirë në publikimin e këtyre matjeve.
Haradinaj, ashtu si edhe disa aktorë të tjerë politikë, ka vënë në dyshim legjitimitetin dhe financimin e sondazheve të shpeshta, duke i cilësuar si të dyshimta dhe të dëmshme për procesin zgjedhor.