Storm / Kosova: Në kohën kur dy liderët e partive opozitare, PDK dhe LDK, duket se janë të përfshirë nga “shurdhmemeizmi” dhe nuk po reagojnë për asgjë, derisa qeveria e Kosovës vazhdon të marrë kritika dhe qortime nga aleatët ndërkombëtarë. E një nga këto kritika erdhi së fundmi prapë nga Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, me deklaratën e tij të famshme: “Mos urinoni në klubin ku dëshironi të hyni.”
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, edhe pse dikur në opozitë ishte “në aleancë” me kryeministrin aktual, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me këtë deklaratë të ambasadorit, duke u shprehur se fjalët e Hovenier janë një sinjal i qartë për kursin e gabuar që ka marrë Kosova.
Haradinaj vlerësoi Ambasadorin Hovenier si një diplomat të shkëlqyer dhe një mik të përhershëm të Kosovës. Në reagimin e tij, ai tha: “Ambasadori Amerikan, Jeffrey Hovenier, ka qenë i përfshirë në çështjen e Kosovës që nga lufta çlirimtare e popullit tonë dhe posaçërisht gjatë negociatave të udhëhequra nga Martti Ahtisaari. Ai është një diplomat me urtësi të madhe politike dhe njerëzore, i cili ka gjithmonë fjalë të përzgjedhura dhe një dashuri të madhe për Kosovën dhe popullin e saj.”
Lidhur me shprehjen e pazakontë të ambasadorit, Haradinaj shtoi: “Shprehja e tij ‘mos urinoni në klubin ku dëshironi të hyni’ është një shprehje e dhimbjes dhe pakënaqësisë për kursin e gabuar që ka përzgjedhur Kosova. Njerëzve që e duan Kosovën, si Ambasadori Hovenier, kjo ju dhemb. Kosova është në një situatë të vështirë dhe ka një trend të përkeqësimit. Këmbanat po bien për të gjithë ata që kanë vesh!”
Ky reagim i Haradinajt vjen në një kohë kur kritikat ndërkombëtare ndaj qeverisë së Kosovës janë intensifikuar, duke nxitur debat dhe reflektim brenda politikës vendore. / Storm-rks