spot_img
E enjte, 5 Mars, 2026
12:35
HomeKosovaHaxhiu: Qëndresa e familjes Jashari në marsin e ’98-ës ndryshoi historinë e...

Haxhiu: Qëndresa e familjes Jashari në marsin e ’98-ës ndryshoi historinë e Kosovës

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, në seancën solemne për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së foli për historinë e 5,6 dhe 7 marsit të vitit 1998, e ku tha se shtëpia e zakonshme e familjes Jashari u kthye në qendrën e një përballje që ndryshoi historinë e Kosovës.

“Në marsin e vitit 1998 në Prekaz shtëpia e Jasharëve ishte si shtëpitë e tjera në Kosovë. Një oborr i zakonshëm, mure të ngritura me shumë mund. Një prag që hapej e mbyllej çdo ditë për fëmijë që hynin e dilnin, gra e burra që mbanin familjen dhe shtëpinë. Në agimin e 5 marsit, forca të shumta policore dhe ushtarake serbe izoluan fshatin. Zunë pozicione me mjete të blinduara dhe artileri të rëndë. Një aparat i tërë shtetëror dhune u përqendrua para familjes Jashari. Shtëpia u rrethua, rrugët u bllokuan, lëvizja u ndërpre. Komandanti Adem Jashari dhe gjithë Jasharët atë ditë e dinin se çfarë dite kishte ardhur. Shtëpia që deri dje ishte e zakonshme u kthye në qendër të një përballjeje që ndryshoi historinë. Në tri ditë luftime, e gjithë historia e Kosovës kaloi përmes Jasharëve dhe qëndresës së tyre”, theksoi Haxhiu.

- Advertisement -

Po ashtu, ajo tha se lufta e Jasharëve ishte për një popull që kërkonte të mos dorëzohej.

“Ata morën mbi vete barrën më të rëndë të kohës, një detyrë të vështirë, por shumë të rëndë. Në atë shtëpi ishin Adem Jashari dhe Hamëz Jashari, prindërit Shaban e Zahide, gratë dhe fëmijët, të gjithë bashkë, krah për krah, të vetëdijshëm për atë që po vinte. Askush nuk u largua. Gra dhe burra luftuan e qëndruan. Çdo dhomë, çdo oborr u kthye në vijë mbrojtjeje. Çdo shpërthim dhe çdo krisme u bë betejë për liri. Lufta e atyre tri ditëve nuk ishte vetëm për një familje, ishte për një popull që kërkonte të mos dorëzohej, të mos nënshtrohej. Në fund të atyre tri ditëve u vranë të moshuar që kishin parë shumë, burra e gra në moshën e forcës, por edhe fëmijë që sapo kishin nisur jetën. Sakrifica e tyre mbeti jo vetëm dhimbje, por themeli i kujtesës dhe i qëndresës së kombit tonë”, tha ndër të tjera ajo.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat