Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë seancës së jashtëzakonshme për shtrenjtimin e derivateve në Kosovë, ka dalë kundër propozimit të opozitës për uljen e akcizës dhe TVSH-së për naftën.
Sipas Muratit, një masë e tillë do të kishte efekt minimal për xhepin e qytetarëve, por do të shkaktonte humbje të mëdha për buxhetin e shtetit. Ai i ka cilësuar si propagandë pretendimet e opozitës se bizneset po largohen nga Kosova apo po mbyllen fabrikat për shkak të çmimeve të larta.
„Është e pavërtetë se bizneset po ikin nga Kosova apo po shkojnë në vendet e rajonit. Si qeveri, duhet të kemi kujdes sepse jemi në një pozitë ku, nëse i mbështesim qytetarët, akuzohemi për blerje votash, e nëse nuk ndërhyjmë, thuhet se nuk po bëjmë asgjë“, deklaroi Murati, sipas raportimit të Klankosova.tv.
Kritika për ekonomistët e opozitës: „Po huqni konceptet bazike“ Ministri Murati nuk i ka kursyer kritikat as për ekspertët ekonomikë të partive opozitare, duke pretenduar se ata nuk po i kuptojnë drejt konceptet elementare të ekonomisë, siç është elasticiteti i çmimit.
„U përmend disa herë argumenti i cili nuk qëndron, se Qeveria nuk humb nëse ul taksat pasi mbledh më shumë TVSH nga rritja e çmimit. Kjo mund të thuhet vetëm nga ata ekonomistë që nuk kanë njohuri të thellë për konceptet bazike si elasticiteti i çmimit. Ky koncept po huqet totalisht nga ekonomistët e opozitës“, potencoi Murati.
Ai mbrojti qëndrimin e ekzekutivit se mbajtja e stabilitetit buxhetor është prioritare dhe se ndërhyrjet duhet të jenë të matura mirë, pa rrezikuar financat publike për masa që, sipas tij, nuk garantojnë ulje reale të çmimit për konsumatorin fundor.



