Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka sqaruar se vetëm aktrimi dhe skenari i realizuar nga njerëz do të merren në konsideratë për çmimet Oscar, në kuadër të rregullave të reja që lidhen me rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale në industrinë e filmit.
Institucioni që organizon Oscar-et publikoi përditësimet e fundit për filmat dhe dokumentarët që mund të konkurrojnë, duke e cilësuar këtë si një ndryshim thelbësor në kriteret e vlerësimit, përcjell KultPlus.
Sipas rregullave të reja, vetëm interpretimet e realizuara nga aktorë njerëzorë dhe skenarët me autorësi njerëzore mund të nominohen për çmime. Ky vendim vjen në një kohë kur përdorimi i mjeteve të inteligjencës artificiale në prodhimet filmike është rritur ndjeshëm.
Në muajt e fundit janë raportuar raste të shumta të përdorimit të inteligjencës artificiale për të rikrijuar apo zëvendësuar punën e aktorëve dhe skenaristëve. Një shembull është rasti i aktorit Val Kilmer, i cili pritet të “rikthehet” në ekran përmes teknologjisë, ndërsa krijues të tjerë kanë eksperimentuar edhe me aktorë plotësisht virtualë.
Debati mbi inteligjencën artificiale është intensifikuar edhe gjatë grevave të fundit në Hollywood, ku përdorimi i saj për shkrimin e skenarëve ishte një nga çështjet kryesore.
Megjithatë, Akademia nuk ka vendosur një ndalim të plotë për përdorimin e inteligjencës artificiale në filma. Ajo thekson se përdorimi i këtyre mjeteve në fusha të tjera të prodhimit nuk do të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë për nominim.
Vlerësimi, sipas Akademisë, do të bazohet në shkallën e autorësisë njerëzore në procesin krijues, ndërsa në raste të dyshimta mund të kërkohen sqarime shtesë mbi përdorimin e teknologjisë.



