E PLOTËSUAR / Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, deklaroi se Kosova mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme shqiptare dhe se Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë fuqishëm në proceset integruese dhe në forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare.
Në konferencën e përbashkët me ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, Hoxha tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë mbështeten në histori të përbashkët, interesa strategjike dhe synime të përbashkëta euroatlantike.
Ai theksoi se dinamikat gjeopolitike në rajon dhe në Evropë kërkojnë koordinim edhe më të madh ndërmjet dy vendeve, duke shtuar se bashkëpunimi duhet të përkthehet në projekte konkrete me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët.
Hoxha vlerësoi se pavarësia e Kosovës ka kontribuar në paqen dhe stabilitetin e rajonit, ndërsa e cilësoi vendin si shembull të ndërtimit të institucioneve demokratike dhe të respektimit të të drejtave të qytetarëve.
Ai përsëriti mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke veçuar Këshillin e Evropës dhe UNESCO.
Sa i përket sigurisë, ministri shqiptar tha se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë afrimin institucional të Kosovës me NATO, duke theksuar se prania e KFOR mbetet faktor kyç për stabilitetin në vend dhe rajon.
“Shqipëria nuk do të pranojë e as tolerojë cenimin e qytetarëve të Kosovës dhe do të jetë gjithmonë në krah Kosovës. Sulmi në Banjska dhe kanalin Ibër-Lepenc nuk mund të harrohen dhe llogaridhënia duhet të jetë e plotë. Kam ardhur këtu sot për të theksuar qartë atë që ka thënë kryeministri Rama, kush prek Kosovën, prek Shqipërinë”, deklaroi Hoxha.
Ai foli edhe për rëndësinë e projekteve infrastrukturore dhe energjetike mes dy vendeve, përfshirë hekurudhën Durrës–Prishtinë, duke i cilësuar ato si investime strategjike që forcojnë integrimin ekonomik dhe përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.
Në fund, Hoxha uroi që procesi zgjedhor dhe formimi i institucioneve të reja në Kosovë të përmbyllen me sukses, duke theksuar se respektimi i sovranitetit dhe i proceseve.
Kurti: Bashkërendimi me Shqipërinë, detyrë kombëtare

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Në nisje të takimit, Kurti theksoi se Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyeshme, si dy shtete të të njëjtit komb, duke shtuar se bashkërendimi dhe bashkëveprimi ndërmjet tyre nuk janë zgjedhje, por detyrë kombëtare, njofton zyra për informim e Kryeministrit.
Bëhet e ditur se Kurti foli për marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy vendeve dhe nivelin e zbatimit të tyre, si dhe për rolin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar. Po ashtu, u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë diplomacinë, energjinë dhe infrastrukturën hekurudhore.
Në takim u theksua edhe rëndësia e bashkërendimit në politikën e jashtme, si dhe proceset e integrimit euro-atlantik për të dyja vendet, përfshirë edhe bashkëpunimin rajonal.
Haxhiu në takim me Hoxhën: Ju keni qenë zëri i Kosovës kur s’kishte zë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, ka pritur sot në takim ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Ferit Hoxha.
Haxhiu, në fillim të takimit, i uroi Hoxhës detyrën e re dhe vlerësoi kontributin e tij të gjatë diplomatik në përfaqësimin e Shqipërisë në organizata dhe forume ndërkombëtare, duke thënë: “Ju keni qenë zëri i Kosovës kur Kosova nuk kishte zë”, njofton zyra për informim e Presidentes.
Në takim u diskutuan marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, koordinimi në politikën e jashtme dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara mes dy vendeve. Haxhiu theksoi rëndësinë e afërsisë historike, gjuhësore dhe kombëtare si bazë për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe projekteve në interes të qytetarëve.
Bëhet e ditur se një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Haxhiu kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, marrjen e pyetësorit të Bashkimit Evropian, si dhe afrimin më të madh me NATO-n dhe Partneritetin për Paqe.
Në fund, ajo theksoi nevojën për koordinim të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në të gjitha forumet ndërkombëtare, në funksion të forcimit të pozitës së Kosovës dhe interesave të përbashkëta.
Ferit Hoxha nesër viziton Kosovën, pritet nga Haxhiu dhe Kurti



