Për herë të parë që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael-Iran, militantët Huthi kanë lëshuar një breshëri raketash balistike drejt shënjestrave izraelite, duke kërcënuar me një bllokadë të re detare në Detin e Kuq.
Situata në Lindjen e Mesme ka marrë një kthesë dramatike këtë të shtunë. Militantët Huthi të Jemenit, të mbështetur nga Irani, kanë hyrë zyrtarisht në luftë duke sulmuar Izraelin për herë të parë. Ushtria izraelite konfirmoi se ka interceptuar një raketë balistike të lëshuar nga Jemenit, ndërsa grupi militant deklaroi se operacioni është vetëm fillimi i një “bllokade detare” në shenjë solidariteti me Palestinën dhe Iranin.
Ky ndërhyrje vjen në një moment tejet delikat për Presidentin Donald Trump, i cili sapo njoftoi një pauzë 10-ditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike iraniane për t’i dhënë hapësirë bisedimeve. Megjithatë, Pentagoni nuk po rri duarkryq: rreth 4,500 Marina dhe ushtarë të Divizionit të 82-të Ajror kanë nisur zbarkimin në rajon, duke rritur mundësinë për një operacion masiv tokësor.
Hyrja e Huthive në konflikt godet pikën më të dobët të ekonomisë botërore: rrugët tregtare. Me Ngushticën e Hormuzit tashmë të bllokuar faktikisht nga Irani, kërcënimi i Huthive në Detin e Kuq mund të ndërpresë fluksin e mbetur të naftës dhe gazit të lëngshëm (LNG), duke shkaktuar një kaos çmimesh në mbarë globin.
Ndërkohë, lufta po përgjaket edhe në frontin e Libanit. Izraeli ka goditur një njësi të Hezbollahut, ku mbetën të vdekur tre gazetarë të lidhur me rrjetet e këtij grupi. Ndërsa Libani e cilëson këtë si “shënjestrim të qëllimshëm të mediave”, IDF pretendon se një prej tyre po operonte si pjesë e njësive speciale të Hezbollahut nën petkun e gazetarisë. Me Jemenin, Libanin dhe Iranin tashmë në një vijë zjarri, paqja e premtuar nga Uashingtoni duket më larg se kurrë.



