Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, dje deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove.
Por, drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, tha se buxheti i Kosovës për vitin e 2025 në bazë të llogaritjeve që i ka bërë AKK-ja, del se 21.8 për qind e buxhetit total të Kosovës do të shkojë nëpër komuna të Kosovës dhe se është më i vogël në krahasim me vitin e kaluar.
“Këtë vit ka qenë 22.4 %, kemi një zvogëlim prej 0.6 %, e cila kur të përkthehet në vlerë monetare del se është më pak prej 21 milionë eurosh. Po të ndahej e njëjta në vitin e ardhshëm komunat do të përfitonin 21 milionë euro më shumë sesa këtë vit. Mirëpo, kjo nuk ka ndodhur dhe ka probleme të tjera, kur ndahen mjetet tek ministritë e linjës dhe pastaj ministritë i shpërndajnë ato nëpër komuna”, tha ai për RTK.
Ai tha se niveli qendror nuk ka pasur vullnet që ta shtyjë përpara ligjin për financa lokale, ku është akomoduar granti i katërt.
“Po të shtyhej aty granti i katër dhe shërbimet sociale, unë mund të theksoj se të gjithë kryetarët do të mbeteshin të kënaqur”, theksoi ai.



