Drejtori Menaxhues i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi ka treguar një bisedë me një mik të tij lidhur me vendimin e fundit ku bizneset e mëdha nga 1 qershori kaluan në treg të hapur të energjisë.
Ibrahimi tregon se një mik i tij e ka telefonuar duke i thënë se sot po e mbyllë fabrikën.
“Rrallë më ka rastisur të mbetëm pa fjalë dhe të mos gjej asnjë shprehje ngushëllimi,” shkruan ai, duke përshkruar zhgënjimin e thellë që sot përjetojnë themeluesit e bizneseve – ata që krijuan vende pune, e mbajtën gjallë ekonominë edhe kur askush tjetër nuk besonte. Sipas tij, nuk janë fatkeqësitë natyrore apo konkurrenca e huaj që po i gjunjëzojnë, por vetë vendimet e shtetit, të marra në zyrat e pushtetit, larg realitetit të përditshëm të biznesit.
“Aty ku dikur kishte shpresë, sot ka heshtje. Aty ku kishte prodhim, sot ka dry. Dhe më e dhimbshmja – aty ku kishte besim e bashkëpunim, sot ka lotë të fshehur dhe punëtorë që kthehen në shtëpi me duar bosh,” thekson ai me tone alarmuese.
Ibrahimi paralajmëron se kjo nuk është thjesht një krizë ekonomike, por një krizë e ndërgjegjes dhe e vetë ekzistencës së vendit.
“Nuk ka shtet pa ekonomi. Nuk ka sovranitet pa sipërmarrës. Dhe nuk ka të ardhme pa njerëzit që e ndërtojnë atë çdo ditë me duar të ndershme dhe shpinë të përkulur nga puna,” shkruan ai, duke u bërë thirrje institucioneve dhe shoqërisë: “Zgjohu Kosovë! Sepse ata që po largohen sot, janë po ata që na mbajtën në këmbë dje. Dhe pa ta, nesër mbetemi bosh.”