Parashikimi ogurzi i Stephen Hawking për fundin e njerëzimit nga alienët përhapet sërish – shkencëtari ngre alarmin
Paralajmërimi tronditës i Stephen Hawking për fatin e njerëzimit mund të jetë duke u bërë realitet, pasi një shkencëtar i njohur ka pohuar se një “kontakt armiqësor” me jetë jashtëtokësore mund të ndodhë brenda disa muajve.
Hawking, fizikani teorik i famshëm që ndërroi jetë në vitin 2018, kishte paralajmëruar botën se kontakti me jashtëtokësorët mund të përfundonte me katastrofë për racën njerëzore.
Profesori i ndjerë besonte se kërkimi aktiv i jetës aliene do të sillte një pushtim vdekjeprurës, të ngjashëm me mënyrën se si civilizime më të avancuara në Tokë kanë zhdukur ato më primitive.
“Jashtëtokësorët ndoshta do të ishin shumë më përparimtarë se ne”, pati thënë Hawking më 2004.
“Historia e takimeve mes racave të avancuara dhe popujve më të prapambetur në këtë planet nuk ka përfunduar mirë — dhe ata kanë qenë të së njëjtës specie. Mendoj se duhet të qëndrojmë të heshtur.”
Ai e mbështeste një qasje më pasive ndaj kërkimit për jetë inteligjente, siç është dëgjimi për sinjale radio nga universi, përkundër transmetimit të qëllimshëm të pranisë sonë në hapësirë.
Mesazhi i errët i Hawking u rikthye së fundmi nga një ekip ndërkombëtar studiuesish që po analizojnë konceptin e ashtuquajtur “kurthi i inteligjencës” – ideja se vetëbesimi i tepruar mund të çojë në pasoja katastrofike. Në këtë rast, një kontakt i suksesshëm me një UFO mund të tërheqë vëmendjen e një specieje dashakeqe që mund të zhdukë njerëzimin.
Fjalët e Hawking fituan edhe më shumë vëmendje pasi një astrofizikan i njohur nga Harvardi, profesor Avi Loeb, paralajmëroi se një objekt misterioz që po i afrohet Tokës këtë dhjetor mund të jetë një UFO armiqësor.
Loeb dhe kolegët e tij kanë zhvilluar disa studime për objektin ndëryjor të quajtur 3I/ATLAS, që u zbulua duke iu afruar sistemit tonë diellor në fund të qershorit.
Edhe pse disa astronomë e kanë cilësuar si një kometë gjigante, Loeb argumenton se ka shenja se është krijuar artificialisht — përfshirë kursin tepër të pazakontë që e çon pranë Venusit, Marsit dhe Jupiterit.
Kjo bëri që Loeb të paralajmërojë se një anije e tillë dhe qenia që mund ta kontrollojë atë, do të mund të kishte dy motive për vizitën: një të padëmshëm dhe një tjetër armiqësor.
“Pasojat, nëse kjo hipotezë rezulton e saktë, mund të jenë të rënda për njerëzimin dhe mund të kërkojnë masa mbrojtëse – edhe pse mund të jenë të pafrytshme”, shkroi Loeb në një studim të publikuar më 17 korrik në platformën shkencore arXiv.
3I/ATLAS pritet të kalojë vetëm 223 milionë milje larg Tokës më 17 dhjetor, duke udhëtuar me mbi 66,000 kilometra në orë.
“Stephen Hawking besonte se kontakti i drejtpërdrejtë me civilizime aliene të avancuara do të çonte në kolonizimin e Tokës nga alienët,” shkruan studiues nga SHBA dhe Irani në Journal of Biomedical Physics and Engineering në vitin 2024.
Studimi që analizoi paralajmërimin e Hawking theksonte se “kurthi i inteligjencës” nënkupton që individët shumë inteligjentë mund të bien pre e paragjykimeve njohëse, si vetëbesimi i tepruar apo mbështetja në përvoja të mëhershme, që mund të çojnë në vendime të gabuara.
Ndërkohë që disa shkencëtarë mendojnë se kontaktimi i alienëve do të sillte përfitime të mëdha, autorët e studimit përkrahin qëndrimin e kujdesshëm të Hawking, duke thënë se transmetimi i vendndodhjes së Tokës mund të jetë një “gabim taktik fatal.”
Para se të ndërronte jetë nga sëmundja ALS në moshën 76-vjeçare, Hawking pati shtuar se njerëzit duhet të jenë shumë të kujdesshëm edhe kur u përgjigjen sinjaleve që mund të vijnë nga universi.
Në vitin 2016, ai pati thënë se Gliese 832c, një planet 16 vite dritë larg, mund të jetë shtëpia e jetës inteligjente. Por nëse ndodh një takim me një civilizim të avancuar, Hawking paralajmëronte se ai mund të përfundonte si përplasja fatkeqe mes amerikanëve indigjenë dhe Kristofor Kolombit.
“Kur shikoja yjet, gjithmonë e imagjinoja se kishte dikë atje lart që po na shikonte,” pati thënë Hawking në dokumentarin “Vendet e preferuara të Stephen Hawking”.
“Sa më shumë që plakesha, aq më shumë bindesha se nuk jemi vetëm. Një ditë mund të marrim një sinjal nga një planet si Gliese 832c – por duhet të jemi të kujdesshëm përpara se t’u përgjigjemi.”