Irani ka tentuar të godasë një anije në Ngushticën e Hormuzit me dronë dhe raketa gjatë orës së fundit, në një përshkallëzim të ri të situatës në korridorin më kritik energjetik të Lindjes së Mesme.
Incidenti vjen në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm, vetëm pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Hormuzi është i hapur dhe se anijet po rikthehen gradualisht në këtë rrugë strategjike.
Sulmi i ri tregon se, pavarësisht presionit të fuqishëm amerikan dhe dëmtimeve të konsiderueshme të kapaciteteve iraniane gjatë muajve të luftës, Teherani vazhdon të ruajë aftësinë për të kërcënuar trafikun detar në Hormuz.
Reuters konfirmon se trafiku përmes ngushticës vazhdon të jetë shumë më i ulët se normalisht: vetëm shtatë anije mallrash u regjistruan në tranzit të enjten, krahasuar me mesataren dhjetëditore prej 15 anijesh.
Në të njëjtën kohë, Irani po negocion kushtet për normalizimin e lundrimit, ndërsa SHBA po përpiqet të rikthejë qarkullimin në një rrugë përmes së cilës, para luftës, kalonte rreth një e pesta e flukseve globale të naftës.
Detajet mbi identitetin e anijes, rezultatin e tentativës së sulmit dhe dëmet eventuale pritet të bëhen të qarta në vijim.



