Isa Boletini, udhëheqësi i luftës për çlirim kombëtar e Hero i Popullit, lindi më 15 janar të vitit 1864, në fshatin Boletin të Kosovës.
Isa Boletini rrjedh nga një familje e njohur për patriotizëm si në Mitrovicë ashtu edhe në tërë vilajetin e Kosovës. Isa ishte një nga luftëtarët e paepur të periudhës së Pavarësisë, legjendë historike për shqiptarët. Së bashku me Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën e Bajram Currin, udhëhoqi qëndresën e suksesshme antiosmane e cila shtrëngoi Portën e Lartë të ulej në bisedime dhe të plotësonte kushtet e palës shqiptare, me prioritet shpalljen e pavarësisë më 1912-ën.
Ndër breza kujtohet shprehja e tij “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”.
Që në moshën 17-vjeçare mori pjesë si luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejën e Slivovës (22 prill 1881) kundër forcave osmane. Përkrahu Haxhi Zekën dhe atdhetarët e tjerë në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Pejës (1899-1900) dhe në qëndresën e saj kundër sunduesve osmanë dhe qarqeve shoviniste fqinjë. Ai mori pjesë në atë kuvend në krye të delegatëve të Mitrovicës.
Isa Boletini mbështeti rilindësit shqiptarë, veçanërisht për shkollat, madje ndërtoi shkollën e parë në gjuhën shqipe për Boletinin e Shalës.
Në 1913-ën, si anëtar i delegacionit shqiptar, Boletini u nis drejt Londrës ku kundërshtoi vendimin e Fuqive të Mëdha, për copëtimin territorial të vendit.
U vra nga forcat malazeze pranë Podgoricës, më 23 janar 1916.



