Një ish-ushtarak i Marinës së SHBA-së, Jinchao Wei, është dënuar me 200 muaj burg (mbi 16 vjet) pasi u shpall fajtor për spiunazh, nën akuzat se për më shumë se një vit i kishte dërguar një kontakti kinez foto, dokumente dhe manuale teknike të lidhura me anije luftarake amerikane, në këmbim të pagesave që arrijnë mbi 12 mijë dollarë.
Sipas të dhënave të rastit, Wei u kontaktua në shkurt 2022 përmes rrjeteve sociale dhe, megjithëse e kuptoi se bëhej fjalë për diçka të dyshimtë, më pas komunikoi në aplikacione të enkriptuara me personin që e quante “Big Brother Andy”. Ai punonte në Naval Base San Diego dhe kishte akses në informacione të ndjeshme për shkak të një security clearance, duke shpërndarë edhe pamje e të dhëna të lidhura me USS Essex, si dhe materiale të tjera operative.
Në një shënim drejtuar gjykatës para shpalljes së dënimit, Wei kërkoi mëshirë dhe pranoi se kishte gabuar. Autoritetet amerikane e cilësuan rastin si komprometim të sigurisë kombëtare, duke paralajmëruar se raste të tilla do të trajtohen me ndëshkim të ashpër.



