Ish-zv.kryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, lëshon bombën e radhës: Rama, kreu i organizatës kriminale?
storm•/Shqipëria: Arben Ahmetaj, dikur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, ka dalë sërish me akuza të forta ndaj shefit të qeverisë shqiptare. Gjatë një interviste në emisionin “Çim Peka Live”, Ahmetaj e ka cilësuar Ramën si “kreun e një organizate kriminale” dhe ka deklaruar se Shqipëria ndodhet në duart e krimit.
Ahmetaj ka ngritur pikëpyetje rreth përfaqësuesve të qeverisë, duke u ndalur te roli i Ergys Agasit, një figurë që sipas tij shoqëron Ramën në takime ndërkombëtare si Forumi Ekonomik i Davosit, pa pasur asnjë përfaqësim legjitim për qytetarët shqiptarë.
“Çfarë përfaqëson Ergys Agasi në Davos me kryeministrin Rama?” – pyeti Ahmetaj, duke lënë të kuptohet se Agasi është aty për interesa personale të Ramës dhe jo për përfaqësimin e Shqipërisë.

Ish-zv.kryeministri akuzoi gjithashtu se qeveria aktuale nuk ka lidhje me Partinë Socialiste dhe është e mbushur me njerëzit besnikë të Ramës që datojnë nga koha kur ai drejtonte Bashkinë e Tiranës. Sipas Ahmetajt, “koordinatorët politikë” janë zëvendësuar me “koordinatorë të krimit”, duke përmendur edhe hetimet ndërkombëtare si EncroChat dhe SKY, të cilat zbuluan lidhjet e krimit me qarqe elektorale të rëndësishme në Shqipëri.
Në fund të intervistës, Ahmetaj iu drejtua socialistëve të zhgënjyer, duke u shprehur se ata nuk votuan për figura si Ergys Agasi, por për një parti që ka humbur identitetin e saj.
Këto akuza të forta kanë bërë jehonë në mediat shqiptare dhe pritet të nxisin debat të ashpër politik në javët në vijim.