Ivanka Trump, vajza e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ndau në rrjetet sociale disa pamje nga bregdeti i Vlorës.
Në fotot dhe videot e publikuara shfaqen peizazhet e bukura natyrore, deti dhe gjelbërimi i zonës, ndërsa në sfond dëgjohet kënga shqiptare “Luleborë”.
Disa prej pamjeve janë nga Plazhi i Porto Novos, nga ishulli i Sazanit si dhe nga vizita e saj në Manastirin e Zvërnecit.

Ivanka Trump qëndroi për dy ditë në Vlorë. Mbrëmjen e së enjtes ajo u prit në Kryeministri nga kreu i qeverisë, Edi Rama.
Ajo mbërriti të mërkurën në qytetin bregdetar të Vlorës, e shoqëruar nën masa të rrepta sigurie nga Policia e Shtetit, dhe u akomodua në një nga hotelet në zonën e “Ujit të Ftohtë”.

Ivanka Trump vizitoi zonën e Novoselës dhe më pas edhe Zvërnecin. Gjithashtu, në itinerarin e saj ka qenë edhe zona bregdetare e njohur si Porto Novo.
Fokus i vizitës së Ivanka Trump mësohet se ka qenë vijimi i projektit të madh të investimit që ajo dhe bashkëshorti Jared Kushner kanë planifikuar të bëjnë në zonën e ishullit të Sazanit dhe në Zvërnec, një investim prej 1 miliard dollarësh për një resort turistik.



