Ushtria izraelite ka shkatërruar një pjesë të një spitali në qytetin e Gazës, ka thënë ministria e shëndetësisë e Hamasit.
Dëshmitarët thanë se sulmi shkatërroi departamentet e kujdesit intensiv dhe kirurgjisë të Spitalit Baptist Al-Ahli, objekti kryesor mjekësor në qytetin e Gazës.
Në një video të postuar në internet shfaqi flakë të mëdha dhe tym që dilte nga spitali pasi raketat goditën një ndërtesë dykatëshe. Njerëzit, përfshirë disa pacientë ende në shtretër spitali, u filmuan duke u larguar me shpejtësi nga vendi.
Ministria e shëndetësisë tha se ndërtesa ishte “shkatërruar plotësisht”, duke çuar në “zhvendosjen e detyruar të pacientëve dhe stafit të spitalit”.
Një gazetar lokal, i cili po punonte në spital, tha se Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kishin telefonuar një mjek që po operonte në departamentin e urgjencës dhe u kërkoi atyre që të evakuonin menjëherë spitalin.
“Të gjithë pacientët dhe njerëzit e zhvendosur duhet të dalin në një distancë të sigurt. Ke vetëm 20 minuta për t’u larguar”, ishte paralajmërimi i forcave izraelite.
Al-Ahli – një strukturë e vogël mjekësore para luftës – është tani i vetmi spital që ende funksionon në qytetin e Gazës pas shkatërrimit të kompleksit mjekësor Al-Shifa dhe spitaleve në pjesën veriore të Rripit.



