Ushtria Izraelite ka njoftuar për vrasjen e zyrtarit të Hezbollahut që sipas tyre pritej të ishte udhëheqësi i ardhshëm i grupit.
IDF tha se Hashem Safieddine, u vra në një sulm ajror në Bejrutin jugor në fillim të këtij muaji.
Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant tha më 8 tetor se Safieddine ndoshta ishte “eliminuar”, por vdekja e tij nuk ishte konfirmuar deri më tani.
Safieddine do ta zëvendësonte Hassan Nasrallah, i cili u vra nga një sulm ajror izraelit muajin e kaluar.
Por, kush është Hashem Safieddine?
Ai ishte kushëri me kreun e grupit militant libanez Hassan Nasrallah dhe pas vdekjes së këtij të fundit, ishte ndër kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin.
Kushëriri më i vogël i Nasrallahut lindi në fshatin jugor të Libanit, Deir Qanoun En Nahr pranë Tirit në vitin 1960.
Të rinjtë studionin teologji së bashku në dy institucione shiite – një në Najaf, Irak dhe tjetri në Qom, Iran.
Ata shihen nga mbështetësit e tyre se janë nga një familje e respektuar shiite që ka nxjerrë si studiues fetarë ashtu edhe politikanë libanezë.
Vëllai i Safieddine është përfaqësuesi i Hezbollahut në Iran, ndërsa djali i tij është i martuar me vajzën e Qassem Soleimani – gjenerali iranian i vrarë në një sulm me dron amerikan gjatë presidencës së Donald Trump në 2020.
Ashtu si kushëriri i tij, Safieddine iu bashkua Hezbollahut menjëherë pasi u krijua në fillim të viteve 1980.
Ai gjithashtu mban një çallmë të zezë, siç bëri Nasrallah, që tregon se është pasardhës i drejtpërdrejtë i Profetit Muhamed.
Lidhjet familjare të Safieddine dhe ngjashmëria e tij e ngushtë me kushëririn e tij të ndjerë, ka të ngjarë të ndihmojnë ofertën e tij për udhëheqje, thonë ekspertët.
Ai ishte kreu i këshillit të Xhihadit të Hezbollahut dhe ndër anëtarët kryesorë të këshillit të tij Shura.
I njohur për pikëpamjet e tij militante, ai ishte poashtu në krye të çështjeve politike të grupit.
SHBA e cilësoi Safieddinin terrorist në vitin 2017. Edhe Arabia Saudite e klasifikon atë si terrorist.
Ai ka qenë gjithmonë një kritik i zëshëm i politikës amerikane.
“Kjo administratë e çmendur e SHBA-së e penguar mendërisht, e kryesuar nga Trump nuk do të jetë në gjendje të dëmtojë rezistencën”, kishte thënë Safieddine.



