Ushtria izraelite ka vrarë Haitham Ali al-Tabtabai, shefi i shtabit të Hezbollahut në një sulm ajror në periferitë jugore të kryeqytetit libanez, Bejrut, pavarësisht një armëpushimi.
Ministria e shëndetësisë e Libanit tha se të paktën pesë persona u vranë dhe 28 të tjerë u plagosën në sulmin, i cili goditi një ndërtesë apartamentesh në lagjen me popullsi të dendur Dahieh.
Hezbollahu konfirmoi vdekjen e Tabtabait, duke shtuar se Izraeli kishte kaluar një “vijë të kuqe” duke kryer sulmin.
Sulmi është i pari i Izraelit në Bejrutin jugor prej disa muajsh.
Kjo vjen ndërsa Izraeli ka përshkallëzuar fushatën e tij ndaj njerëzve dhe objektivave që thotë se janë të lidhura me Hezbollahun – një grup mysliman shiit i mbështetur nga Irani – pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të dhe Franca që hyri në fuqi nëntorin e kaluar.
Zyrtarët izraelitë thonë se Hezbollahu është përpjekur të rindërtojë aftësitë e tij ushtarake, po kontrabandon armë në Liban dhe po rrit prodhimin e dronëve shpërthyes si një alternativë ndaj raketave , dhe ka frikë në rritje për një përshkallëzim të armiqësive.
“Nën udhëheqjen time, Shteti i Izraelit nuk do ta lejojë Hezbollahun të rindërtojë pushtetin e tij dhe ne nuk do ta lejojmë atë të përbëjë përsëri një kërcënim për Shtetin e Izraelit”, thavkryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. në një deklaratë pas sulmit.
Ai tha se priste që qeveria libaneze “të përmbushte angazhimin e saj për të çarmatosur Hezbollahun”.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi Izraelin – i cili vazhdon të mbajë të paktën pesë vende në Libanin jugor – që të ndalojë sulmet dhe të tërhiqet nga vendi, duke thënë se veprimet izraelite janë një shkelje e marrëveshjes që i dha fund konfliktit 13-mujor.
Qeveria libaneze është zotuar të çarmatosë Hezbollahun, por grupi ka hedhur poshtë thirrjet për të diskutuar të ardhmen e armëve të tij përpara se Izraeli të ndalojë sulmet e tij, të tërhiqet plotësisht nga Libani dhe të lirojë të burgosurit libanezë.
Një zyrtar diplomatik perëndimor, i cili foli në kushte anonimiteti, i tha BBC-së se autoritetet janë nën presion nga administrata Trump, e cila po bëhet gjithnjë e më e paduruar me atë që e shohin si përparim të ngadaltë kundër grupit, i konsideruar si një organizatë terroriste nga vende përfshirë SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Konflikti i fundit midis Izraelit dhe Hezbollahut shpërtheu pasi grupi libanez filloi të qëllonte me raketa pozicionet izraelite një ditë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023. Hezbollahu tha se po vepronte në solidaritet me palestinezët në Gaza.
Autoritetet libaneze thanë se sulmet e Izraelit vranë rreth 4,000 njerëz atje – përfshirë shumë civilë – dhe çuan në zhvendosjen e më shumë se 1.2 milion banorëve. Autoritetet izraelite thanë se më shumë se 80 ushtarë dhe 47 civilë të saj u vranë në armiqësi.
Qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj Tabtabait në vitin 2016 dhe e shpalli atë terrorist. Ajo ofron një shpërblim prej 5 milionë dollarësh (3.8 milionë paund) për informacion rreth tij.
SHBA-të e përshkruan atë si një udhëheqës kyç ushtarak të Hezbollahut, i cili dikur komandonte forcat speciale të grupit në Siri dhe Jemen, duke shtuar se veprimet e tij në këto vende ishin pjesë e një përpjekjeje më të madhe të Hezbollahut për të siguruar trajnime, materiale dhe personel “në mbështetje të aktiviteteve të tij destabilizuese rajonale”.



