Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka komentuar zhvillimet e fundit politike që lidhen me përbërjen e mundshme të qeverisë “Kurti 3” dhe ndryshimet në Ministrinë e Arsimit.
I pari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, të dielën që lamë pas, nuk mori besimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për formimin e qeverisë.
Kurti nuk i dha besimin për një mandat të ri ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ndërsa në vend të saj propozoi Avni Zogianin.
Lidhur me këtë ndryshim, Jasharaj u shpreh se Kurti nuk ka humbur asgjë me mospërfshirjen e Nagavcit në kabinetin e ri.
“Pse nuk ia ka besu nuk ka bërë asnjë gabim, sepse po them nga përvoja jonë zonja Nagavci nuk ka qenë në nivel të detyrës, nuk ka qenë ministre, nuk ka bashkëpunuar me ne, me prindërit dhe cilido ministër që të vijë në qeverinë “Kurti”, do të jetë situata e njejtë”, ka thënë Jasharaj në një prononcim për IndeksOnlinen.
Sipas tij, nëse formohet qeveria “Kurti 3”, secili ministër do të jetë nën ndikimin e vetë kryeministrit.
“Partia që është ende në pushtet i ka do ide të veta që nuk mund t’i bie në fije askush. Për ne nuk është ndonjë humbje sepse ne nuk kemi pasur ndonjë përvojë të mirë me zonjën Nagavci dhe unë e konsideroj se pa u formuar qeveria “Kurti 3”, cilido që të shkojë për ministër Arsimi, nuk do të jetë zëri i vet por do të jetë i dirigjuar nga kryeministri Kurti, nëse bëhet. Por sa po e shoh kjo qeveri edhe nuk do të bëhet dhe pastaj do të shohim kush do të bëhet ministër, uroj që të vijë një ministër që e do dhe e respekton arsimin”, theksoi ai.
Megjithatë, Jasharaj nuk pret ndonjë përmirësim në rast se Ministrinë e Arsimit e merr Avni Zogiani:
“Për besë nuk shoh që do të ketë më pozitive se me zonjën Nagavci. Zonja Nagavci ka ardhur vetë nga arsimi dhe ka kalu të gjitha fazat, edhe si mësimdhënëse, edhe si drejtoreshë e një shkollë, edhe drejtoreshë e DKA-së në Prishtinë, kemi prit shumë ma tepër mirëkuptim. Ndërsa edhe po u bë Zogiani nuk pres diçka pozitive, ngase njerëzit që nuk kanë qenë kurrë në arsim, të bëhen ministra nuk është e drejtë. Cilido që të vjen po u formua qeveria “Kurti 3”, cilido që vjen jo vetëm i Arsimit, por kudo nuk do të jetë i pavarur por do të veprojë siç thotë Kurti, ministrat e qeverisë “Kurti” nuk kanë punuar kokë më vete, por kanë qenë të dirigjuar”.



