Kryetari aktual i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka zyrtarizuar kandidaturën e tij edhe për një mandat në krye të kësaj komune. Me një mbështetje të fuqishme nga strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haliti u shpreh se kandidimi i tij nuk është thjesht një vazhdimësi politike, por një angazhim i ri për t’i shërbyer qytetarëve të Vitisë.
Gjatë fjalimit të tij, Haliti falënderoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, degën e partisë në Viti, aktivistët dhe qytetarët që, sipas tij, i kanë dhënë sërish një besim që nuk matet me poste apo tituj.
“Kam dhënë gjithë veten, por ende nuk mjafton. Sepse Vitia meriton më shumë,” deklaroi Haliti, duke nënvizuar se rrugëtimi i tij politik është udhëhequr nga ndjenja e përkushtimit dhe jo nga ambicia për pushtet.
Ai theksoi se gjatë tri mandateve të kaluara, komuna ka bërë hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit. “E kemi kthyer besimin në ura, shkolla, rrugë, projekte e shpresë. Vitia nuk pret më – ajo vepron.”
Në mesazhin e tij, Haliti nuk kurseu as vlerësimet për ekipin që e ka mbështetur ndër vite, duke përfshirë strukturat e LDK-së në Viti, rininë, gratë, mësuesit, fermerët dhe mërgatën, të cilët i quajti “themelet e gjithçkaje që ndërtojmë”.
Me tone reflektuese, por edhe të vendosura, ai e konsideroi këtë kandidaturë si një “betim” për të mos lënë pas asgjë nga e arritura dhe për të garantuar një të ardhme më të mirë për çdo të ri në komunën që ai e quan “shtëpi”.
“Ne nuk kërkojmë edhe një mandat për të qenë në pushtet. Kërkojmë edhe një mandat për të qenë në shërbim,” theksoi Haliti, duke e përmbyllur fjalimin me një thirrje për unitet dhe vizion të përbashkët.
Me këtë hap, Sokol Haliti shënon një nga kandidaturat më të qëndrueshme në nivel lokal në Kosovë, duke synuar ta udhëheqë Vitinë edhe për katër vite të tjera.