Eksperti i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Edward P. Joseph, ka komentuar zhvillimet që lidhen me raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë një interviste në Klan Kosova.
Ai është ndalur veçanërisht te rëndësia e përfshirjes së Kosovës në Bordin e Paqes dhe mënyrën se si kjo ndikon në dialogun strategjik me ShBA-në.
Sipas Joseph, pjesëmarrja e Kosovës në këtë Bord përbën një zhvillim të rëndësishëm në raportet ndërmjet dy vendeve.
“Mendoj se kjo është një ftesë tejet e rëndësishme për Kosovën, të ftohesh në Bordin e Paqes. Fakti që presidentja Osmani ka qenë edhe në themelimin e kësaj organizate në Davos dhe në takimin e parë në Uashington, është shumë e rëndësishme, është tregues i qartë se Kosova po ndërton raporte me Administratën Trump 2”.
“Kjo është e veçantë për shkak se në shtatorin e kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës suspenduan dialogun strategjik me Kosovën dhe kjo që ndodhi është e kundërta e saj, është e qartë se presidentja Osmani po e përfaqëson Kosovën në një formë tjetër të dialogut strategjik dhe kjo ka rëndësi”, tha ai.



