Victor Osimhen pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës.
Sulmuesi nigerian, aktualisht i huazuar te Galatasaray, pritet të rikthehet te Napoli në fund të sezonit, por e ardhmja e tij është larg nga e sigurt.
Pas një viti shumë pozitiv në Turqi, Galatasaray ka shprehur publikisht dëshirën për ta mbajtur edhe për sezonet e ardhshme, por konkurrenca për shërbimet e tij do të jetë e fortë.
Sipas Corriere dello Sport, në Itali është Juventus që kryeson garën për Osimhen.
“Zonja e Vjetër” ka vendosur të përforcojë repartin ofensiv në merkaton e ardhshme, sidomos në rast të kualifikimit në Champions League.
Financimi për blerjen e mundshme të Osimhen mund të vijë nga shitja e Dusan Vlahovic.
Megjithatë, transferimi i tij në Torino nuk do të jetë i lehtë.
Në kontratën e Osimhen me Napolin ekziston një klauzolë largimi prej 75 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë, që i mbyll dyert Juventusit për ta shfrytëzuar atë.
Për të bindur presidentin De Laurentiis, drejtori sportiv i Juventusit, Cristiano Giuntoli, duhet të përgatisë një ofertë të paktën 85 milionë euro mes shumës fikse dhe bonuseve.
Pa harruar faktin se paga e Osimhen kap shifrën mbi 10 milionë euro në sezon, një tjetër pengesë e rëndësishme.
Por Juventus nuk është i vetëm në këtë garë.
Skuadrat e pasura nga Arabia Saudite janë të gatshme të bëjnë gjithçka për të siguruar shërbimet e Osimhen.



