Më 15 tetor 1582 vitit kalendarik iu hoqën 10 ditë, për të korrigjuar një gabim në përllogaritje.
Në shqip ende hasen shprehjet “kalendar allafrënga” dhe “kalendar allaturka”, ose “kalendar i ri” dhe “kalendar i vjetër”. Në thelb, bëhet fjalë për dy prej kalendarëve më të përdorur në Kontinentin e Vjetër (dhe jo vetëm): Kalendarin Gregorian (i riu) dhe Kalendari Julian (i vjetri, dhe nuk lidhet me Turqinë, por me perandorin Jul Cezar të Romës).
Është e njohur, tashmë, se këta dy kalendarë ndryshojnë me 14 ditë mes tyre, ku Gregoriani është 14 ditë më parë se Juliani. Për shembull, Ditën e Verës, të cilën, ndonëse shqiptarët e festojnë në data të ndryshme, vetëm atë që përputhet me Kalendarin Julian e kemi shpallur Festë Kombëtare.
Që prej shekullit VIII dijetarë të ndryshëm, si benediktini Bede, Frencis Beikën, Dante Aligieri, etj., kishin vënë re nevojën e një kalendari të ri. Por vetëm më 1582 ishin gati të gjitha përllogaritjet për korrigjimin e gabimit. Kështu, Papa Gregori XIII, vendosi që pas datës 4 tetor 1582 nuk do të vinte data 5 tetor, por 15 tetor, duke korrigjuar gabimin e ndodhur që prej shek. XIII.
Sipas kalendarit të ri, çdo vit që pjesëtohet me 400 do të jetë vit i brishtë, duke shtuar 1 ditë pas datës 28 shkurt. Papa Gregori e vuri re gabimin e Kalendarit Julian teksa i duhej të llogariste datën e Pashkëve. Meqenëse të dy kalendarët, si ai Julian, si ai Gregorian, janë kalendarë diellorë, përllogaritja e tyre bazohet mbi rrotullimet e Tokës qark Diellit.
Arkivi Qendror Shtetëror ruan imazhe nga “Breve trattato gnomonico d’orologi solari”, kopjuar më 1843. Ai është shkruar në italisht, në 51 fletë letre me përmasa 252×175 mm nga një kopist anonim. Teksti shpjegon se çfarë është ora diellore, si funksionon, si ndërtohet dhe si lexohet, pasi orientimi nuk na nevojitet vetëm në errësirën e natës, por edhe në dritën e ditës. /atsh