spot_img
E hënë, 13 Prill, 2026
00:45
HomeKosovaPrishtinaKaosi urban: Rrugët e Prishtinës të mbingarkuara çdo ditë

Kaosi urban: Rrugët e Prishtinës të mbingarkuara çdo ditë

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Punimet e shumta infrastrukturore, shtimi i numrit të automjeteve dhe moszbatimi i rregullave në fuqi po vazhdojnë të mbesin problem kryesor që sfidojnë pushtetin lokal të kryeqytetit.

Kolonat e gjata dhe bllokimet e shpeshta paraqiten si në rrugët kryesore hyrëse në Prishtinë, ashtu edhe në ato dytësore, duke krijuar një gjendje të rënduar të qarkullimit dhe vështirësi të përditshme për qytetarët.

- Advertisement -

Kërkesat e kryetarit të komunës që punimet infrastrukturore të mos zhvillohen në orët e pikut shpesh nuk po respektohen, ndërkohë që diskutimet për një taksë prej 10 eurosh për automjetet nga komunat e tjera kanë nxitur debat ndërkomunal.

Eksperti i komunikacionit, Lavdim Hamiti, vlerëson se një nga zgjidhjet afatgjata për zbutjen e trafikut do të ishte krijimi i parkingjeve në hyrje të qytetit dhe forcimi i transportit publik.

- Advertisement -

Sipas tij, qytetarët që vijnë nga jashtë Prishtinës duhet të lënë veturat në periferi dhe të vazhdojnë me autobus në qendër, duke mundësuar edhe përdorimin e korsive të dedikuara për autobusë.

Nga ana tjetër, asamblisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Besart Krasniqi, thotë se problemi i trafikut mbetet i madh dhe se sipas tij, në vend të zgjidhjeve janë ndërmarrë veprime që e kanë rënduar situatën, duke përmendur mbylljen e rrugëve pa alternativa të mjaftueshme për qarkullim.

Ndërkohë, Drejtoria e Transformimit, përmes drejtorit Gëzim Kastrati, thekson se infrastruktura aktuale është problem kyç dhe se zgjidhja afatgjatë kërkon investime të reja. Sipas tij, ndërtimi i unazës së kryeqytetit do të ndihmonte në shkarkimin e trafikut, duke ulur ngarkesën deri në 30 deri 40 për qind.

Sipas të dhënave zyrtare, në Prishtinë çdo ditë hyjnë rreth 140 mijë automjete nga komunat e tjera, pa përfshirë automjetet e regjistruara në kryeqytet, ndërsa qarkullimi ditor mund të arrijë deri në 200 mijë automjete, duke e rënduar edhe më tej situatën në trafik. /RTK

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat