Artisti i njohur, Bujar Kapexhiu, aktor dhe regjisor, piktor që mban titullin “Nderi i Kombit”, ishte i ftuar në emisionin “Kjo Javë” ku foli për 2 librat më të fundit të tij me poezi, “Seferi i Tironës” dhe “Poezi humoristike e satirike”, të promovuara ditët e fundit.
Kapexhiu zbuloi ndër të tjera në intervistë se ndër personazhet e njohur që u ka dedikuar poezi janë dhe figura politike, një prej tyre kryeministri Edi Rama.
“Miku im i gjatë, nxito, gjurmë do të jenë brekushet apo barcaletat”, është një nga poezitë që Bujar Kapexhiu ka shkruar për Ramën, që ai e quan miku i tij i kahershëm.
Kapexhiu thotë se poezitë e tij janë humoristike, si mik e shok, pa e fyer dhe denigruar figurën e tij duke u mundur të ruhet etika.
“Kjo është merita e humorit të vërtetë e qytetar dhe jam munduar ta ruaj këtë etikë”, tha Kapexhiu gjatë intervistës me moderatoren Nisida Tufa.
Ai ka treguar se e ka patur pasion poezinë shumë herët, që fëmijë ndërsa poezinë e parë e ka shkruar në vitin 1970.
“Poezinë e parë e kam shkruar në vitin 1970, kur isha regjisor në Estradën e Tiranës dhe atëherë bëhej propagandë e madhe nga arti socialist kundër poezisë dekadente, që quhej poezi hermetike dhe kjo goditje ishte për perëndimorët.
Dhe unë atëherë shkrova një tekst poezi hermetike për të goditur poezinë hermetike si në karikaturë.
Më vonë erdhi një ndodhi tjetër. Festohej 80 vjetori i lindjes të të ndjerit artistit dibran Hazis Ndreu, kompozitor, instrumentist brilant, këngëtar poet ku ka fituar çmime kombëtare madje ka shkruar dhe poezi humoristike. Dhe mua më lindi një ide, që të gjithë ata që ishin në skenë, poetë, këngëtarë, vallëtarë që këndonin këngët e tij, unë shkrova një vjershë sikur ta shkruante Azisi sikur të ishte gjallë. Dhe të nesërmen një gazetare shkroi se në koncert ishte dhe Azis Ndreu”, tha Kapexhiu.
Ndër të tjera në intervistë, artisti Bujar Kapexhiu ka theksuar se në Shqipëri ka shumë material për letërsi humoristike, por fatkeqësisht nuk ka letërsi.
“Më vjen keq që ka shumë pak autorë që shkruajnë letërsi satirike dhe humoristike.
Problematika sot është kaq për të qeshur, kaq për tu tallur, kaq për tu stigmatizuar, dhe për tu goditur. Dhe prapë letërsi humoristike ka pak. Përderisa një poet shkrimtar, krijon një vepër humoristike, pikërisht atje ka një subjekt, atje ka një subjekt që është ndeshur, që nuk është dakord me disa gjëra.
Pra tallet me të e stigmatizon atë, në drejtim të progresit. Dhe kjo kontradiktë ndodh midis autorit dhe ngjarjes. Bën që të lindë kjo vepër humoristike. Dhe natyrisht kur e lexon spektatori kënaqet me humorin. Është një nga gjëra më të bukura t’i japësh spektatorin ose lexuesin të qeshurën”, tha Kapexhiu.
Kapexhiu njihet dhe si karikaturist ku në fokus të punimeve të tij kanë qenë politikanë që jo në pak raste e kanë telefonuar pasi janë “prekur” nga karikatura, por ai tha se nga këto punime ka bërë shumë miq nga politika.
Artisti Bujar Kapexhiu tha se Rama dhe Berisha janë politikanët të cilëve u ka kushtuar më shumë karikatura.



