Në sheshin madhështor të Shën Pjetrit, në Vatikan ku për 12 vite me radhë Papa Françesku ka kremtuar Eukaristinë dhe ka drejtuar takime të rëndësishme të Kishës, sot mijëra besimtarë dhe personalitete nga mbarë bota u mblodhën në një ceremoni solemne për t’i dhënë lamtumirën e fundit atij.
Kardinali Giovanni Battista Re, Dekan në Kolegjin e Kardinalëve, në predikimin e tij për Papën, shprehu mirënjohjen e thellë për pjesëmarrjen masive dhe përfaqësuesit zyrtarë të ardhur nga shumë shtete për të nderuar jetën dhe veprën e Papës që u nda nga jeta.
“Me zemër të trishtuar, por shpresëplotë, ne jemi mbledhur për të lutur për shpirtin e tij, me besimin se jeta njerëzore nuk përfundon me varrin, por vazhdon në shtëpinë e Atit, në një lumturi të përjetshme,” u tha në deklaratë Re.
Kardinali Re ndau kujtimet më të fundit të Papa Françeskut, paraqitjen publike të tij në Ditën e Pashkëve, vetëm një ditë para se të ndahej nga jeta.
“Një nga imazhet e fundit që do të mbetet në kujtesën e besimtarëve është ai i Pashkës së fundit, kur Papa, megjithëse me probleme shëndetësore, bekoj nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit dhe më pas përshëndeti popullin nga makina papnore, duke treguar afërsinë e tij të vazhdueshme me njerëzit”, tha ai.
Re shtoi se Papa Françesku do të kujtohet si një bari i mirë, që e jetoi jetën e tij me thjeshtësi, guxim dhe dashuri të pakushtëzuar për njerëzimin, duke ndjekur shembullin e Krishtit dhe duke na kujtuar fjalët e Tij: “Më i lum është ai që jep sesa ai që merr.”
“Me lutjet tona, ne tani ia besojmë shpirtin e Papës sonë të dashur Zotit, që t’i japë atij lumturi të përjetshme në vështrimin e ndritshëm dhe të lavdishëm të dashurisë së Tij të pamasë,” përfundoi predikimin e tij Kardinali Giovanni Battista Re.



