Klinika e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shënuar progres të dukshëm në menaxhimin e listës së pritjes për pacientët që kanë nevojë për trajtim specialistik.
Drejtori i kësaj klinike, dr. Faik Shatri, ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka më pacientë që presin nga viti 2023, duke e cilësuar këtë si një sukses rezultat i përkushtimit të stafit mjekësor dhe angazhimit të shtuar gjatë muajve të fundit.
“Në fillim të mandatit tim, numri i përgjithshëm i pacientëve në listën e pritjes arrinte në rreth 4600, përfshirë raste të akumuluara nga vitet 2022 e 2023. Sot, lista është përmirësuar ndjeshëm. Tani kemi vetëm pacientë të regjistruar gjatë vitit 2024 dhe një numër të kufizuar nga 2025-ta,” deklaroi Shatri.
Sipas tij, nëse ruhet ritmi aktual i punës, deri në janar të vitit të ardhshëm pritet që lista të përputhet me standardet e vendeve të rajonit në aspektin e kohës së pritjes.
Drejtori përmendi edhe ndihmën e çmuar që klinika ka marrë nga bashkëpunimi me spitalin e Prizrenit, përkatësisht në njësinë e kateterizimit atje, ku ekipet nga Prishtina janë angazhuar në baza të rregullta.
“Vetëm gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, kemi përmbushur 477% të planit të paraparë për trajtimin e rasteve nga lista e pritjes. Ky është një tregues i qartë i kapaciteteve dhe përkushtimit të ekipit tonë,” shtoi ai.
Ky përmirësim shihet si një hap i rëndësishëm në rritjen e efikasitetit dhe besueshmërisë së shërbimeve publike shëndetësore në vend, veçanërisht në një fushë kaq kritike si kardiologjia.