Qytetarët ankohen për mungesë të energjisë elektrike në Prishtinë
Që nga orët e hershme të mëngjesit të së dielës, qytetarët në disa pjesë të Prishtinës po përballen me mungesë të energjisë elektrike. Ndonëse KEDS kishte njoftuar për punime të planifikuara, të cilat supozohej të përfundonin deri në orën 10:00, furnizimi nuk është rikthyer as pas këtij afati.
Në ankesat e shumta të bëra publike, qytetarët theksojnë se ndërprerja po u shkakton telashe të mëdha, sidomos duke qenë se bëhet fjalë për një ditë të diel kur nevoja për energji është edhe më e madhe.
Një zyrtare e departamentit përkatës në KEDS, e pyetur për arsyet e kësaj ndërprerjeje, tha se fillimisht ishte planifikuar që riparimi të përfundonte në orën 10:00. Mirëpo, gjatë punimeve është shkaktuar një avari në rrjetin e tensionit të lartë dhe, si pasojë, ende nuk dihet se kur do të përfundojnë punimet dhe kur do të rikthehet energjia elektrike.
Ndërkohë, pavarësisht problemeve të vazhdueshme me furnizimin, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka paralajmëruar se në fund të vitit do të shqyrtohet mundësia që KEDS-it t’i miratohet një tjetër rritje e çmimit të energjisë.
Qytetarët shprehen të revoltuar, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe duke theksuar se është e vështirë të gjendet një shembull tjetër i tillë në ndonjë shtet tjetër.