“Kelmendi n’festë”, një traditë e bukur e banorëve të Malësisë, solli gjallëri dhe ngjyra festive në këtë fundvit, duke mbledhur banorë dhe vizitorë në Tamarë nën tingujt e lahutës dhe çiftelisë, simbole të trashëgimisë kulturore të zonës.
Kryeministri Edi Rama ndau momente nga kjo mbrëmje festive, e organizuar në prag të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, duke vlerësuar ruajtjen dhe promovimin e traditave autentike të Malësisë së Madhe, të cilat forcojnë identitetin kulturor dhe nxisin zhvillimin e turizmit lokal.
““Kelmendi n’festë”, një traditë e bukur e banorëve të Malësisë, që nën tingujt e lahutës dhe çiftelisë, i dhanë edhe më shumë jetë atmosferës festive në këtë fundviti”, u shpreh Rama.
Aktiviteti “Kelmendi n’festë” u organizua për herë të parë nga njësia administrative Kelmend, duke synuar që kjo festë të kthehet në një traditë të përvitshme.
Festa solli këngë, valle dhe rite karakteristike të zonës, duke krijuar një atmosferë të veçantë për banorët dhe të ftuarit në prag të festave të fundvitit.
Organizatorët theksuan se kjo nismë ndjek shembullin e festës së Tamarës, e cila tashmë është kthyer në një traditë të konsoliduar, dhe po punohet që edhe festa e Kelmendit, e organizuar në muajin dhjetor, të zërë vend të përhershëm në kalendarin kulturor të Malësisë.
“Kelmendi n’festë” është një tjetër hap për promovimin e vlerave kulturore, mikpritjes dhe traditave të zonës, duke e kthyer fundvitin në një moment bashkimi dhe feste për komunitetin lokal. /atsh



