Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të pandehurin me iniciale B.D., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 nën par.1.5 të KPRK-së, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“I pandehuri B.D., me datë 23.03.2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e privon nga jeta viktimën me iniciale A.Z., ashtu që me armën e zjarrit tip pistoletë, e gjuan dhe e godet së paku tri (3) herë në trup, ku viktima si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë. I pandehuri gjatë marrjes në pyetje e ka pranuar kryerjen e veprës penale. Seanca për caktimin e paraburgimit për të pandehurin do të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.