Në zemër të Parisit, pranë Notre-Dame de Paris, ndodhet një nga libraritë më ikonike në botë: Shakespeare and Company.
E hapur në vitin 1951 nga George Whitman, kjo librari u krijua jo thjesht si një dyqan libri, por si një strehë për mendimin e lirë, letërsinë në gjuhën angleze dhe komunitetin artistik të qytetit.
Para saj ekzistonte versioni historik i viteve ’20, i drejtuar nga Sylvia Beach, ku u mblodhën figura si Ernest Hemingway dhe James Joyce. Edhe pse hapësira aktuale është një entitet i ri, ajo ruan frymën bohemiane të Left Bank, me divane të vjetër, makina shkrimi, citate në mure dhe një piano që shpesh përdoret nga vizitorët.
Të flesh mes librave, me dritaret që hapen drejt Senës dhe kambanat e Notre-Dame në sfond, nuk është thjesht akomodim por është një përjetim intim për ata që e lidhin udhëtimin me letërsinë.



