Kolona të gjata automjetesh janë krijuar pasditen e sotme në pikën kufitare në Morinë, teksa mijëra qytetarë po hyjnë në territorin e Kosovës.
Sipas raportimeve nga terreni dhe fotografive të dërguara nga lexuesit, shihen radhë të gjata automjetesh që presin për të kaluar kufirin. Ky fluks i shtuar vjen si pasojë e interesimit të jashtëzakonshëm për ndeshjen mes Kosovës dhe Turqisë, e cila zhvillohet sonte në stadiumin „Fadil Vokrri“.
Tifozët nga të gjitha trojet shqiptare po ia mësyjnë Prishtinës për ta mbështetur Kombëtaren e Kosovës në këtë përballje vendimtare për kualifikim në Kampionatin Botëror 2026. Autoritetet kufitare po punojnë me kapacitete të shtuara për të menaxhuar qarkullimin, megjithatë numri i madh i udhëtarëve ka bërë që pritjet të jenë të pashmangshme.
Ndeshja historike, e cila ka zgjuar interesim mbarëkombëtar, pritet të nisë sonte në orën 20:45.



