Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari, sot ka pritur në takim Shefin e Mbrojtjes së Republikës së Lituanisë, Raimundas Vaikšnoras, pasi që ky i fundit është duke realizuar vizitë zyrtare në Kosovë.
Në njoftim bëhet e ditur se, gjatë takimit janë shkëmbyer pikëpamjet mbi situatën e sigurisë në rajon, dhe është theksuar nevoja për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.
Njoftimi i plotë:
Komandanti i FSK-së priti në vizitë zyrtare Shefin e Mbrojtjes së Republikës së Lituanisë
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka pritur Shefin e Mbrojtjes së Republikës së Lituanisë, Gjeneral Raimundas Vaikšnoras, i cili është duke realizuar vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Fillimisht, gjeneral Jashari i uroi mirëseardhje gjeneralit Vaikšnoras dhe e falënderoi për vizitën në Forcën e Sigurisë së Kosovës, si dhe e vlerësoi lartë kontributin e forcave lituaneze në kuadër të KFOR.
Gjatë takimit, u shkëmbyen pikëpamjet mbi situatën e sigurisë në rajon, duke theksuar nevojën për vazhdimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, në përballimin e sfidave të sigurisë në kontinentin evropian. Gjithashtu, të dy gjeneralët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave profesionale dhe vlerësuan lartë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy institucioneve të mbrojtjes.
Në përfundim të takimit, u theksua domosdoshmëria e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme ushtarake, duke rikonfirmuar përkushtimin e FSK-së për bashkëpunim të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë. Poashtu, u nënvizua rëndësia e mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve, në veçanti të Republikës së Lituanisë, në proceset e zhvillimit, profesionalizimit dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale të FSK-së.



