Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ka riafirmuar angazhimin e misionit të cilin e udhëheq për një mjedis të sigurt në Kosovë.
Këtë rikonfirmim, ai e bëri gjatë një takimi që pati të premten me Ambasadorët, Krerët e Misioneve dhe Përfaqësuesit e Lartë Kombëtarë nga 33 vendet kontribuuese të misionit të NATO-s në Kosovë.
“Duke shënuar angazhimin e tij të parë kolektiv me përfaqësuesit e vendeve kontribuuese me trupa që nga marrja e komandës, Gjenerali Ulutash përshkroi situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet e vazhdueshme të KFOR-it dhe prioritetet kryesore përpara”.
“Ai riafirmoi angazhimin e KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, dhe shprehu vlerësimin e tij të sinqertë për të gjitha vendet kontribuuese me trupa për mbështetjen e tyre të vazhdueshme”, u tha në një njoftim të këtij misioni.



