Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi konferencën shkencore “Identitete religjioze në trojet shqiptare nga mesjeta e vonë deri në rënien e Perandorisë Osmane”.
Veprimtaria u mbajt dje, nga Instituti i Historisë, departamenti i Mesjetës dhe i Rilindjes, ASHSH, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë.
Qëllimi i konferencës shkencore ishte ofrimi i një panorame të plotë dhe shumëdimensionale mbi historinë e religjioneve, mbi institucionet fetare dhe mbi fenomenet e ndryshme të jetës shpirtërore në hapësirat shqiptare, nga Mesjeta deri në fillim të shekullit XX.
Një nga boshtet kryesore të konferencës ishte identiteti kulturor dhe fetar, i lexuar përmes simboleve dhe shenjave që mbijetuan në kujtesën popullore. Një bllok i rëndësishëm i punimeve shkencore lidhej me strukturat kishtare dhe institucionale. Diskutimet u përqendruan te Ipeshkvia e Drishtit, duke u mbështetur në burime historike dhe në dëshmi arkeologjike, si edhe tek organizimi i jetës kishtare sipas statuteve të Kapitullit të Katedrales së qytetit mesjetar të Drishtit.
Një hapësirë e veçantë iu kushtua Urdhrit Françeskan, duke ndriçuar veprimtarinë e tij në trojet shqiptare gjatë mesjetës dhe periudhës osmane, si edhe kontributet konkrete në shek. XVII dhe gjysmën e parë të shek. XVIII. Krahas kësaj, u shqyrtuan edhe përpjekjet e Argjipeshkvit të Tivarit, Fran Leonardi, për bashkimin (uniatizmin) me Kishën Ortodokse, të cilat pasqyrojnë dimensionin ekumenik të sfidave kishtare të kohës, raporton atsh.
Më tej, kumtesat mbi rolin e ortodoksisë në Kosovë gjatë Mesjetës shtuan një dimension tjetër të rëndësishëm në kuadrin e pluralizmit fetar. Një pjesë e konferencës u ndal mbi arkitekturën dhe kulturën materiale fetare, ku spikati analiza e xhamisë monumentale të Sofi Sinan Pashës në Prizren me arkitekturën dhe dekoracionet e saj, si dhe shqyrtimi i fenomenit të shndërrimit të mesxhideve në xhami gjatë shekujve XVII–XVIII si tregues i procesit të islamizimit. Një vëmendje e veçantë iu kushtua strukturave shoqërore dhe elitave fetare.
Së fundi, konferenca i kushtoi hapësirë periudhës së re moderne, duke shqyrtuar lëvizjen protestante në vilajetet shqiptare nga fundi i shekullit XIX deri në fillim të shekullit XX.