Presidenca e Kosovës, ka dhënë qëndrimin e saj rreth aktgjykimit të nxjerrë nga Gjykata Kushtetuese.
Ajo ka thënë se afati 30 ditësh nuk është opsion, por detyrim.
“Presidentja Osmani ka ritheksuar se zbatimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese është obligim kushtetues dhe ky aktgjykim ka sqaruar se konstituimi i Kuvendit brenda 30 ditësh është detyrim e jo opsion. Më tej, Presidentja Osmani ka përsëritur thirrjen ndaj liderëve që në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të gjendet rrugëdalja për konstituimin e Kuvendit”.
Presidentja Osmani nënvizoi se mungesa e legjislativit po krijon një vakuum institucional që shkakton erozion të demokracisë dhe dëmton funksionimin e shtetit.
“Në rolin e saj si garantuese e funksionimit kushtetues dhe përfaqësuese e unitetit të popullit në Republikën e Kosovës, Presidentja Osmani do të vazhdojë me takime konsultative me partitë e tjera të përfaqësuara në parlament edhe përgjatë ditëve në vijim”.