spot_img
E diel, 22 Shkurt, 2026
23:30
HomeKosovaKosova merr përsipër sigurinë në sektorin e Gazës Veriore?

Kosova merr përsipër sigurinë në sektorin e Gazës Veriore?

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Kosova me ushtarët e saj të FSK-së, ka gjasa ta merr përsipër një rol domethënës për sigurinë në Rripin e Gazës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për këtë pjesë të Palestinës.

Ani se nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nëse shteti më i ri në Evropë do të udhëheq trupat që do ta ruajnë zonën problematike, nëpër faqe të ndryshme internet që raportojnë për siguri, janë publikuar harta në të cilat Kosova figuron si përgjegjëse për Gazën Veriore.

- Advertisement -

Se republika që edhe vetë ruhet e mbrohet nga një forcë ndërkombëtare, KFOR-i i NATO-s, është rreshtuar ndër vendet e para që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar me trupa në kuadër të trupës shumëkombëshe të krijuar për stabilizimin e situatës në Rripin e Gazës, e ka konfirmuar edhe komandanti i kësaj force, gjenerali i ushtrisë së shteteve të bashkuara, Xhasper Xhefers. Një gjë të tillë e ka bërë edhe vetë shteti i Izraelit.

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, të premten në Uashington, e ka falënderuar Kosovën për angazhimin në këtë nismë, duke e cilësuar vendin si anëtar themelues në “Boardi ne Paqes” dhe si kontribuues për ISF-në në Gaza, bashkë me Indonezinë, Kazakistanin, Marokun dhe Shqipërinë. Kjo e fundit, figuron si përgjegjëse për zonën Deir al Balah.

- Advertisement -

Në Prishtinë ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar që njëqind për qind e konfirmon këtë gjë, por lajmet se Kosova mund të jetë përgjegjëse për siguri në Gazën veriore është parë si një mundësi dhe hap i rëndësishëm në forcimin e rolit të saj ndërkombëtar në operacionet paqeruajtëse dhe stabilizuese.

“Nese Kosova e merr komanden e zones ne veri te Gazes, e cila eshte e parapare te udhehiqet nga nje gjeneral brigade, do te jete e arritura me e madhe ne konsolidimin nderkombetar te shtetesise se Kosoves qe nga vendimi i GJND-se per shpalljen e pavaresise se vendit tone. Kjo njekohesisht do te paraqet edhe pergjegjesine me te madhe te vendit tone ne skenen nderkombetare”, ka shkruar njohësi i cështjeve të sigurisë, Lulzim Peci.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese për Rripin e Gazës pritet të ketë rreth njëzet mijë ushtarë, tete mijë nga të cilët i ka premtuar Indonezia, një gjeneral i të cilit vend do të jetë zëvendëskomandant i kësaj trupe.

Po ashtu, sigurisë në këtë pjesë pritet t’i kontribuojnë edhe dymbëdhjetë mijë policë, shumica e të cilëve pritet të vijnë nga Egjipti dhe Jordania.

Mijëra trupave te Forcës Ndërkombëtare te Stabilizimit për Gazën parashikohet t’u bashkohen edhe ushtare e personel policor nga shtete tjera, pos atyre qe aktualisht janë deklaruar si pjesëmarrëse. Misioni i kësaj force do të jetë  stabilizimi i situatës së sigurisë në terren, mbështetja e strukturave civile lokale dhe krijimi i kushteve për rindërtim dhe administrim funksional të rripit të Gazës.

Forca ndërkombëtare për Stabilizimin e Gazës është produkt i marrëveshjes për paqe në gaza, ndërmjet Izraelit e Hamasit, që ishte arritur tetorin e vitit të kaluar, me ndërmjetësim të presidentit amerikan, Donald Tramp. Ajo i dha fund luftës që nisi më sulmin terrorist të Hamasit në Izrael, në tetor të vitit dy mijë e njëzet e tre. Jerusalemi zyrtar iu përgjigj ashpër këtij veprimi, duke nisur një fushatë të rreptë ndaj grupit radikal. Për pasojë, Gaza u shkatërrua në masë të madhe. Më tepër se 60 mijë palestinezë raportohet të jenë vrarë për dy vjet, sa zgjati konflikti.

Vetë Kosova ishte një vend që pati nevojë për një forcë të tillë ndërkombëtare të sigurisë, kur përfundoi lufta këtu, në qershor të vitit një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë. Trupa që mori përsipër sigurinë në Kosovë ishte KFOR-i i NATO-s. Kjo forcë u nda në pesë sektorë, që udhëhiqeshin nga shtetet e ndryshme. Britania e mori qendrën, respektivisht rajonin e Prishtinës.  Gjermanisë iu la jugu, me seli në Prizren. Veriu iu besua Francës, Perëndimi – Italisë ndërsa lindja mbeti në duart e amerikanëve, selia e të cilëve ishte kampi Bondstill. /KP

Ramadani: Kosova ka kapacitete të nevojshme për kontribut ushtarak në Gaza

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat