Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë thirrje që ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër të kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojnë vendin drejt normalitetit, zhvillimit, NATO-s dhe BE-së.
Sipas Haradinajt, vendi po kalon një gjendje të rënduar ekonomike, politike dhe të sigurisë, me Parlament të pezulluar dhe zgjedhje të përfunduara pa rezultat institucional. Ai e konsideron këtë situatë “krejtësisht jonormale” dhe fajëson ata që nuk i kaluan interesat personale për të mirën e vendit.
Haradinaj kujton njerëzit që “kanë pasur kurajë ta bëjnë luftën, por edhe ta krijojnë paqen” dhe thekson nevojën që Kosova të realizojë të drejtat e qytetarëve një nga një, nga pavarësia e mbikëqyrur deri tek mëvetësia e plotë.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Sot vendi ynë ka degraduar në një gjendje të rënduar e tejet të komplikuar ekonomike, politike dhe të sigurisë.
Me afat të harxhuar kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe me Parlament të pezulluar. Me zgjedhje të përfunduara, por me ngërç të paparë e të padëgjuar institucional.
Kjo gjendje krejtësisht jonormale dhe në dëm të Shtetit e të secilit prej jush, është krijuar për shkak se ata që do të duhej t’i jepnin zgjidhje kësaj situate, nuk e kaluan veten e tyre, por u mjaftuan me interesa personale e partiake.
Si vend e si shoqëri jemi në metrat e fundit që t’i kthehemi normalitetit.
Jemi në udhëkryqin e madh të një bashkimi të të gjithë atyre që sot janë në gjendje ta kalojnë veten e tyre për të mirën e përbashkët.
Kosova gjithmonë ka pasur njerëz që kanë ditur të pozicionohen drejt në momente të vështira;
Që kanë pasur kurajë ta bëjnë luftën, por edhe ta krijojnë paqen;
Njerëz që kanë shkrirë dije, pasuri e jetë për këtë vend;
Që kanë qëndruar dhe kanë pasur vizion që në çastet më vendimtare të rreshtohen pas aleatëve në krye me Amerikën;
Që kanë ditur si krijohen miqtë e si luftohen armiqtë;
Që kanë ditur ta bëjnë Shtetin, por edhe ta krijojnë Ushtrinë e tij;
Që t’i rikthejnë tapitë e tokave dhe të pasurive të vendit të vet;
Nga pavarësia e mbikëqyrur të bëhemi krejtësisht të mëvetësishëm, duke i realizuar të drejtat tona një e nga një…
Të gjitha këto janë themel i fortë që të shohim veç përpara dhe të mos kërkojmë fajtorë, por ta kalojmë veten tonë e të lidhemi drejt të mirës së përbashkët.
Unë dhe Aleanca jemi më të vetëdijshëm se kurrë se plot disa punë kanë mbetur pa u kryer:
Që zgjedhjet të prodhojnë institucione dhe bllokadat të kalojnë në histori;
Që njerëzit e këtij vendi të jetojnë dinjitetshëm me pagat, pensionet dhe ndihmat që u jep Shteti dhe të mos kërkojnë strehë nëpër botë;
Që më në fund ta krijojmë një sistem modern shkollor që arsimon dhe një sistem shëndetësor që shëron;
Që ta zhdukim distancën midis pushtetit dhe qytetarit, e ky i fundit të jetë sovrani i vendimmarrjes dhe të mos e detyrojmë që katër herë brenda vitit të shkojë në votime;
Shteti dhe pushteti të jenë të tij…
Ky është edhe apeli im për të gjithë ata që Kosovën e kanë në mendje dhe në zemër, në trup e në shpirt, që ta kapërcejnë veten e tyre dhe bashkërisht ta çojmë këtë vend drejt normalitetit, drejt zhvillimit, drejt NATO-s dhe BE-së.
Ta çojmë Kosovën aty ku përket, në mesin e vendeve të zhvilluara e demokratike, ta bëjmë pjesë të Familjes së demokracive perëndimore.
Me respekt,
Ramush Haradinaj



