Kombëtarja e Kosovës zhvillon sonte ndeshjen historike për kualifikim në Kampionatin Botëror përballë Turqisë. Vëmendja është e jashtëzakonshme, si në mediat vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare, pasi kjo konsiderohet si nata që mund të ndryshojë përgjithmonë historinë e sportit tonë.
Mbështetje edhe nga Haga Ndeshjen e Kosovës do të mund ta ndjekin edhe krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë. Gjykata Speciale ka konfirmuar se të akuzuarit kanë qasje në kanale televizive në gjuhën shqipe. „Të akuzuarit kanë qasje në një televizor të përbashkët, si dhe secili prej tyre posedon një televizor personal. Të gjitha pajisjet ofrojnë disa kanale në gjuhën shqipe. U takon atyre të vendosin nëse dëshirojnë të shikojnë televizor dhe çfarë zgjedhin të ndjekin“, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.
Bota shkruan për „ëndrrën dardane“ Mediat më prestigjioze botërore po pasqyrojnë me vëmendje rritjen e Kosovës. Agjencia ndërkombëtare e lajmeve, Reuters, ka shkruar: „Kosova e vogël kërkon historinë e Kupës së Botës me ndeshjen vendimtare kundër Turqisë“. Ky shkrim është huazuar nga dhjetëra mediume të tjera, përfshirë The Guardian dhe BBC.
Një artikull tejet emocionues i është dedikuar Kosovës nga gazeta italiane, Corriere dello Sport, e cila e përshkruan ekipin tonë si një „hartë gjeografike sentimentale“: „Përzierje rrënjësh, largimesh, rikthimesh dhe fëmijësh të shpërndarë nëpër Evropë. Kosova ëndërron Botërorin e saj të parë. Nga 23 të grumbulluarit, 13 kanë lindur jashtë. Zvicra, Gjermania, Suedia, Kroacia e Belgjika: harta e Kosovës kalon nga aty, nga bijtë e diasporës të mbetur të lidhur me një fanellë që përfaqëson diçka shumë më të thellë se thjesht futbolli.“
Franco Foda: Jemi të përgatitur për çdo skenar Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, u shpreh optimist në konferencën për media, duke vlerësuar lart kundërshtarin, por edhe forcën e ekipit të tij. „Turqia ka lojtarë kualitativë si Yildiz, Güler e Çalhanoğlu, por edhe ne jemi të fortë. Gjasat janë 50 me 50. I njohim dobësitë e tyre dhe jemi të përgatitur për të gjitha mundësitë, përfshirë kohën shtesë dhe penalltitë. Me rëndësi është të performojmë me idetë tona dhe të shfrytëzojmë kundërsulmet“, deklaroi Foda.
Vedat Muriqi: Krenar që jam kapiten në këtë duel Sulmuesi kryesor dhe kapiteni i sontëm, Vedat Muriqi, theksoi atmosferën e shkëlqyeshme brenda grupit. „Jam krenar që jam kapiten i Kosovës në këtë finale historike. Jemi të qetë dhe kemi një atmosferë fantastike. Shpresojmë që sonte të kemi sukses dhe të gëzojmë gjithë popullin“, tha Muriqi.
Ndeshja jetike mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet sonte në stadiumin „Fadil Vokrri“, duke filluar nga ora 20:45.



