Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka pezulluar përkohësisht nga detyra, prokurorin Beqë Shala, i cili ushtronte funksionin në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar të KPK-së, vendimi është marrë unanimisht pas pranimit të konfirmimit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) se ndaj Shalës është iniciuar hetimi penal për keqpërdorim të detyrës.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, pas pranimit të njoftimit zyrtar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përmes të cilit është konfirmuar se është iniciuar hetim penal ndaj të pandehurit Beqë Shala, prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, ka vendosur unanimisht që të pezullojë përkohësisht nga detyra zyrtare prokurorin Beqë Shala, deri në një vendim tjetër të Këshillit, përkatësisht deri në përfundimin e procedurës penale që është në zhvillim e sipër”, thuhet në njoftim.
KPK ka theksuar se ky vendim është marrë me qëllim të sigurimit të paanshmërisë, integritetit dhe efikasitetit të procedurës hetimore, si dhe për të garantuar zhvillimin e pandikuar të procesit dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.



