KQZ njofton mbledhjen për certifikimin e rezultateve zgjedhore më 27 mars
Prishtinë, 26 mars 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të enjten, më 27 mars 2025, në orën 16:00, do të mbahet mbledhja e radhës e këtij institucioni në zyrat e KQZ-së.
Sipas rendit të ditës të publikuar nga vetë KQZ, ndër pikat më të rëndësishme të mbledhjes është certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt 2025. Kjo është hera e parë në historinë e Kosovës që rezulton me një vonesë kaq të gjatë në publikimin dhe certifikimin zyrtar të zgjedhjeve, duke ngjallur reagime të shumta në skenën politike.
Përfaqësues të partive opozitare kanë shprehur shqetësime se kjo vonesë po i shkon për shtat vetëm partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, e cila drejtohet nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas tyre, zvarritja e procesit po përdoret si avantazh politik për të kontrolluar situatën post-zgjedhore.
Njohës të çështjeve politike dhe të proceseve zgjedhore kanë paralajmëruar se kjo situatë jo vetëm që nuk i shërben stabilitetit të brendshëm institucional, por gjithashtu dëmton kredibilitetin ndërkombëtar të vendit në një moment të ndjeshëm për integrimet euroatlantike.
Mbledhja e 25-të e KQZ-së për këtë vit do të udhëhiqet nga Kreshnik Radoniqi dhe në rend dite përfshihen gjithashtu çështja e zëvendësimit të kandidatëve të zgjedhur që kanë hequr dorë nga mandati i deputetit, si dhe diskutime të ndryshme.



