Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka shpallur rezultatin preliminar të zgjedhjet lokale në raundin e dytë ku garuan 18 komuna.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në zhvillimin e një softueri të ri për transmetimin e rezultateve preliminare nga vendvotimet.
“Para se të fillojmë me publikimin e rezultateve të përmbledhura të cilat po shfaqen në këtë platformë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpreh mirënjohje dhe falënderim për Qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar që ka mbështetur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në zhvillimin e një softueri të ri për transmetimin e rezultateve preliminare nga vendvotimet, por edhe në procesin që do të zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, tha Radoniqi.
Ai shtoi se në kuadër të këtij projekti, KQZ ka bashkëpunuar me kompaninë BAE Systems Digital Intelligence nga Mbretëria e Bashkuar dhe me partnerin e saj lokal Arcus Security, për zhvillimin e softuerit dhe sigurimin e zgjidhjeve përkatëse të sigurisë në teknologjinë e informacionit.
Radoniqi më pas bëri publik rezultatet preliminare të balotazhit për komunat e Kosovës:
• Gjakovë: Ardian Gjini – 56.03%
• Gjilan: Alban Hyseni – 61.06%
• Klinë: Zenun Elezaj – 58.02%
• Fushë Kosovë: Valon Prebreza – 54.99%
• Mitrovicë: Faton Peci – 53.53%
• Prishtinë: Përparim Rama – 51.54%, ndërsa Hajrulla Çeku – 48.44%
Për komunën e Mitrovicës, Radoniqi pati një sqarim.
“Një informacion shtesë per Mitrovicën e Jugut, nuk janë futur ende dy vendvotime dhe do të shtohen më vonë në platformë, tha ai.
Radoniqi tha se shpresojnë që brenda javës së dytë do t’i kenë rezultatet preliminare.
“Rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi ëq të numërohen votat e diasporës, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat me kusht. Lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare do të njoftoheni me kohë”, tha Radoniqi.



